Në prag të ndërrimit të viteve, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, ka përcjellë një mesazh urimi për Vitin e Ri 2026, duke shprehur mirënjohje të veçantë për punonjësit e Policisë së Shtetit, për angazhimin, përkushtimin dhe sakrificat e tyre të përditshme në shërbim të sigurisë publike.
Në mesazhin e tij, Proda thekson se viti që po mbyllet ka qenë sfidues, i shoqëruar me përgjegjësi të mëdha dhe sakrifica, por që ka forcuar lidhjen mes Policisë, qytetarëve dhe partnerëve, duke e bërë më të qartë misionin dhe detyrat në funksion të rendit dhe sigurisë.
Një urim i veçantë është drejtuar familjarëve të Dëshmorëve të Policisë, të cilët, siç shprehet ai, kanë një anëtar më pak në familje, por një hero më shumë në historinë e vendit.
Kreu i Policisë ka falënderuar gjithashtu qytetarët për besimin dhe bashkëpunimin, mediat për rolin e tyre në informimin e publikut dhe rritjen e transparencës, si edhe partnerët kombëtarë e ndërkombëtarë për bashkëpunimin e vazhdueshëm në garantimin e sigurisë.
Sipas Proda-s, Policia e Shtetit është në gatishmëri të plotë në të gjithë territorin e vendit për të garantuar një ndërrim vitesh të qetë dhe të sigurt.
Në përfundim, ai uron shëndet, paqe dhe mbarësi për të gjithë qytetarët, duke theksuar se viti 2026 duhet të ndërtohet mbi përgjegjësi, besim dhe bashkëpunim, për një Shqipëri edhe më të sigurt.




















