Një ngjarje e rëndë u shënua një ditë më parë në Novoselë, ku një 42-vjeçar humbi jetën pasi u godit me top në kraharor gjatë një ndeshjeje kalçetoje. Burri ndërroi jetë gjatë transportimit për në spitalin e Vlorës, ndërsa paraprakisht dyshohet se ka pësuar atak kardiak.
I ftuar në një intervistë për Report Tv, mjeku sportiv Mel Ostreni shpjegoi se raste të tilla janë të njohura dhe të dokumentuara në literaturën mjekësore botërore, madje ndodhin edhe te persona që nuk kanë probleme të mëparshme me zemrën.
Sipas tij, një goditje e fortë e topit në kraharor mund të shkaktojë atë që quhet “tronditja e zemrës”, një ndërprerje e sinjalit elektrik që bën tkurrjen e saj. Në këto raste, zemra del jashtë funksionit, nuk pompon gjakun dhe personi mund të humbasë jetën nëse nuk i jepet menjëherë ndihma e parë.
“Çështja e dytë është që ai që luan futboll, që mund ta ketë pësyar këtë mund të ketë pasur edhe sëmundje të zemrës, sidomos morfologjike, që do të thotë dëmtime të valvulave ose valvula jo nromale të trashëguara që nga lindja. Të gjitha këto që janë në heshtje dalin në pah pak më vonë ose gjatë sforcove fizike”,- tha Ostreni.
Mjeku sportiv ngriti shqetësimin për mungesën e përgatitjes në dhënien e ndihmës së parë, duke theksuar se administratorët e fushave sportive duhet të kenë njohuri bazë për reagimin në raste emergjente. Sipas tij, dhënia e ndihmës së parë duhet të mësohet edhe në shkolla 9-vjeçare, gjimnaze dhe universitete, gjë që aktualisht nuk ndodh në Shqipëri.
“Njerëzit duhet të kenë njohuri minimale për masazhin ekstrakardiak dhe për frymëmarrjen gojë më gojë”, theksoi mjeku sportiv.
Duke folur për parandalimin, Ostreni nënvizoi se çdo aktivitet sportiv kërkon një përgatitje paraprake.
“Edhe një ndeshje kalçetoje mund të sjellë pasoja serioze për shëndetin. Duhet bërë ngrohja e muskulaturës para nisjes së lojës, nuk duhet konsumuar alkool dhe nuk duhet luajtur me stomakun bosh”, tha ai.
Sipas mjekut, vakti i fundit duhet të konsumohet dy orë para ndeshjes dhe nuk lejohet të hahet mish, në mënyrë që organizmi të mos jetë i ngarkuar gjatë aktivitetit fizik.




















