Gjykata Kushtetuese vendosi pezullimin e zbatimit të dy vendimeve të GJKKO-së që kishin caktuar dhe vazhduar masën ndaluese të pezullimit nga detyra për zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, duke pranuar kërkesën e Kryeministrit. Vendimi u mor me 5 vota pro dhe 3 kundër, duke reflektuar një ndarje të qartë brenda trupës gjyqësore.
Në shumicë votuan Sonila Bejtja, Fiona Papajorgji, Genti Ibrahimi, Sandër Beci dhe Marjana Semini, ndërsa kundër votuan Marsida Xhaferllari, Ilir Toska dhe Asim Vokshi, të cilët formalizuan një mendim pakice.
Pakica argumentoi se Kushtetuesja po ndërhynte në veprimtarinë e gjykatave, ndërsa çështja ishte ende në proces ankimi, duke e cilësuar pezullimin si një ndërhyrje të paprecedentë që cenon pavarësinë e gjyqësorit dhe mirëadministrimin e drejtësisë, në kundërshtim me jurisprudencën e vetë Gjykatës Kushtetuese.
Vendimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese:
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA KUSHTETUESE
MBLEDHJA E GJYQTARËVE
VENDIM
Për kërkesën për pezullim
Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë (Mbledhja e Gjyqtarëve), e përbërë nga:
Marsida Xhaferllari, Kryesuese
Fiona Papajorgji, Anëtare
Sonila Bejtja, Anëtare
Ilir Toska, Anëtar
Genti Ibrahimi, Anëtar
Marjana Semini, Anëtare
Asim Vokshi, Anëtar
Sandër Beci, Anëtar
në datën 12.12.2025 mori në shqyrtim kërkesën paraprake të paraqitur nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë (kërkuesi) për pezullimin e zbatimit të vendimit nr. 118, datë 19.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO-së së Shkallës së Parë) për pjesën që ka disponuar vendosjen dhe vazhdimin e masës ndaluese “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj shtetases Belinda Balluku, sipas nenit 45 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar (ligji organik i Gjykatës).
Mbledhja e Gjyqtarëve, bazuar në nenin 45, pika 1, të ligjit organik të Gjykatës dhe nenin 27 të Rregullores për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese,
VËREN:
1. Në datën 21.11.2025 kërkuesi, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, i është drejtuar Gjykatës me kërkesë, duke pretenduar:
(i) zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit e Këshillit të Ministrave dhe GJKKO-së së Shkallës së Parë;
(ii) shfuqizimin e vendimit të GJKKO-së së Shkallës së Parë që ka vendosur masën ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës së zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, shtetases Belinda Balluku dhe pezullimin e këtij vendimi;
(iii) interpretimin e pikës 3 të nenit 103 të Kushtetutës.
2. Në mbështetje të kërkesës për pezullim, kërkuesi ka pretenduar se vendimi i GJKKO-së së Shkallës së Parë prek interesa të larta shtetërore, shoqërore, por edhe të vetë individëve. Sipas tij, pezullimi mbron sistemin e qeverisjes, duke ruajtur funksionalitetin e plotë të Këshillit të Ministrave, i cili ushtron çdo funksion shtetëror që nuk u është dhënë organeve të pushteteve të tjera shtetërore ose të qeverisjes vendore. Kërkuesi ka pretenduar se vendimi sjell pasoja të pariparueshme për qeverisjen e vendit, duke krijuar vakum institucional, mosfunksionim të Këshillit të Ministrave dhe pamundësi për ushtrimin e përgjegjësive dhe të kompetencave që Kushtetuta e legjislacioni në fuqi i njeh ekskluzivisht pushtetit ekzekutiv. Gjithashtu, ka pretenduar se është në interes shtetëror që kompetencat e Kryeministrit, të Presidentit dhe të Kuvendit të vazhdojnë të prodhojnë efekt juridik. Lënia në fuqi e vendimit të GJKKO-së do të thellonte konfliktin e kompetencave ndërmjet pushtetit gjyqësor, në njërën anë, dhe pushteteve legjislative dhe ekzekutive, në anën tjetër, duke cenuar më tej parimin e ndarjes dhe të balancimit të pushteteve. Sipas tij, pezullimi i një ministri ose zëvendëskryeministri njëkohësisht pezullon veprimtarinë e pushtetit ekzekutiv në fushën e përgjegjësisë së ministrit dhe të zëvendëskryeministrit të pezulluar.
3. Në datën 27.11.2025 kërkuesi i është drejtuar sërish Gjykatës me kërkesë për shtimin e objektit të kërkesës, duke kërkuar edhe shfuqizimin e vendimit nr. 120, datë 22.11.2025 të GJKKO-së së Shkallës së Parë, për pjesën që ka disponuar për vazhdimin e zbatimit të masës ndaluese ndaj zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, shtetases Belinda Balluku. Në kushtet kur këto dy vendime, në thelb, shprehen për të njëjtën masë ndaluese, ndonëse kërkuesi nuk ka kërkuar në kërkesën për shtesë objekti edhe pezullimin e vendimit nr. 120, datë 22.11.2025 të GJKKO-së së Shkallës së Parë, Mbledhja e Gjyqtarëve çmon t’i vlerësojë së bashku kërkesat për vendosjen e masës së pezullimit edhe për këtë vendim.
4. Sipas nenit 45, pika 1, të ligjit organik të Gjykatës, kjo e fundit, kryesisht ose me kërkesë të palëve, kur vlerëson, ndër të tjera, se zbatimi i aktit mund të sjellë pasoja që prekin interesa shtetërore, sipas rastit, me vendim të Mbledhjes së Gjyqtarëve urdhëron pezullimin e tij. Sipas kësaj dispozite, së pari: subjekti që kërkon pezullimin e një akti duhet të provojë prekjen e interesave shtetërore, si dhe pasojat e pariparueshme që do të sjellë zbatimi i aktit; së dyti: shqyrtimi i kërkesës mund të bëhet nga Gjykata edhe përpara seancës plenare.
5. Mbledhja e Gjyqtarëve, pasi mori në shqyrtim pretendimet e kërkuesit në mbështetje të kërkesës për pezullim, vlerëson se në rastin konkret nuk ndodhen kushtet e parashikuara nga neni 45 i ligjit organik të Gjykatës. Në vlerësimin e Mbledhjes së Gjyqtarëve, zbatimi i vendimeve nr. 118, datë 19.11.2025 dhe nr. 120, datë 22.11.2025 të GJKKO-së së Shkallës së Parë, si dhe vazhdimi i masës ndaluese “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj shtetases Belinda Balluku, njëkohësisht zëvendëskryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, nuk sjell pasoja që prekin interesa shtetërore gjatë ushtrimit të kompetencave kushtetuese të pushtetit ekzekutiv në drejtim të përcaktimit të politikave të përgjithshme shtetërore.
PËR KËTO ARSYE
Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, në mbështetje të nenit 45, pika 1, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar dhe nenit 27 të Rregullores për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese, me shumicë votash,
VENDOSI:
1. Pezullimin e zbatimit të vendimeve gjyqësore nr. 118, datë 19.11.2025 dhe nr. 120, datë 22.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pjesën që kanë disponuar caktimin dhe vazhdimin e masës ndaluese “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj shtetases Belinda Balluku, sipas nenit 45 të ligjit organik të Gjykatës.
Tiranë, më 12.12.2025
—
ANËTARE
/Sonila Bejtja/ (d.v.)
ANËTARE
/Fiona Papajorgji/ (d.v.)
KRYESUESE (Kundër)
/Marsida Xhaferllari/ (d.v.)
ANËTAR
/Genti Ibrahimi/ (d.v.)
ANËTAR (Kundër)
/Ilir Toska/ (d.v.)
ANËTAR
/Sandër Beci/ (d.v.)
ANËTAR (Kundër)
/Asim Vokshi/ (d.v.)
ANËTARE
/Marjana Semini/ (d.v.)
Vërtetohet njësoj me origjinalin
SEKRETARI I PËRGJITHSHËM
/Eugen PËRVALLE/
MENDIM PAKICE
1. Në shqyrtimin e çështjes që i përket kërkesës së Kryeministrit të Shqipërisë, me objekt zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencave ndërmjet Kryeministrit e Këshillit të Ministrave dhe GJKKO-së së Shkallës së Parë; interpretimin e pikës 3 të nenit 103 të Kushtetutës; si dhe shfuqizimin e dy vendimeve gjyqësore për caktimin dhe vazhdimin e masës ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës së zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, ne, gjyqtarët Marsida Xhaferllari, Ilir Toska dhe Asim Vokshi jemi kundër vendimit të shumicës për pezullimin e vendimeve gjyqësore, për arsyet e mëposhtme.
2. Kërkuesi ka parashtruar se masa ndaluese e pezullimit të ushtrimit të detyrës prek interesa të larta shtetërore, shoqërore, por edhe të vetë individëve. Sipas kërkesës, masa duhet pezulluar për të mbrojtur sistemin e qeverisjes dhe për të ruajtur funksionalitetin e plotë të Këshillit të Ministrave, i cili ushtron çdo funksion shtetëror, që nuk u është dhënë organeve të pushteteve të tjera shtetërore ose të qeverisjes vendore. Sipas tij, masa e pezullimit nga detyra sjell pasoja të pariparueshme për qeverisjen e vendit, duke krijuar vakum institucional, mosfunksionim të Këshillit të Ministrave dhe pamundësi për ushtrimin e përgjegjësive dhe të kompetencave që Kushtetuta e legjislacioni në fuqi i njeh ekskluzivisht pushtetit ekzekutiv. Gjithashtu, ka argumentuar kërkuesi, është në interes shtetëror që kompetencat e Kryeministrit, të Presidentit dhe të Kuvendit të vazhdojnë të prodhojnë efekt juridik. Lënia në fuqi e vendimit gjyqësor do të thellonte konfliktin e kompetencave ndërmjet pushtetit gjyqësor, në njërën anë, dhe pushteteve legjislative dhe ekzekutive, në anën tjetër, duke cenuar më tej parimin e ndarjes dhe të balancimit të pushteteve. Pezullimi i një ministri ose zëvendëskryeministri njëkohësisht pezullon veprimtarinë e pushtetit ekzekutiv në fushën e përgjegjësisë së ministrit dhe të zëvendëskryeministrit të pezulluar. Ai krijon vakum institucional në realizimin e pushtetit ekzekutiv, por edhe të vetë pushtetit legjislativ, pasi pamundëson propozimin e projektakteve me rëndësi kombëtare për integrimin në Bashkimin Europian. Po kështu, ka argumentuar kërkuesi, vendimi prek edhe interesat individuale të qytetarëve, të cilët preken në mënyrë të drejtpërdrejtë nga pezullimi i funksionimit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe të vetë Këshillit të Ministrave.
3. Sipas nenit 45, pika 1, të ligjit organik të Gjykatës, kjo e fundit kryesisht ose me kërkesë të palëve, kur vlerëson se zbatimi i ligjit ose i aktit mund të sjellë pasoja që prekin interesa shtetërore, shoqërore ose të individëve, sipas rastit, me vendim të Mbledhjes së Gjyqtarëve ose në seancë plenare urdhëron pezullimin e tij. Ky rregullim ligjor është elaboruar nga Gjykata, e cila në jurisprudencën e saj ka pohuar se në kushtet kur pezullimi është një masë e jashtëzakonshme, vendosja e tij lidhet me vlerësimin e pasojave ose efekteve të zbatimit të aktit. Këto pasoja jo vetëm duhet të jenë reale, pra në realizim e sipër, por edhe të rënda, në atë masë që shkojnë tej masës normale të kufizimit, në veçanti në pikëpamje të urgjencës (shih vendimin nr. 1, datë 25.01.2024 të Gjykatës Kushtetuese).
4. Për sa më lart, përkundër vlerësimit të shumicës për pezullimin e vendimeve gjyqësore, ne, gjyqtarët në pakicë, çmojmë se nuk plotësohen kushtet e nenit 45 të ligjit organik të Gjykatës, pasi nuk verifikohet prania e pasojave të pariparueshme në masë të rëndë, pra në atë masë që të shkojë përtej masës normale të kufizimit, në veçanti në pikëpamje të urgjencës. Në këtë kuptim, argumenti i kërkuesit se Këshilli i Ministrave del jashtë funksionit për shkak të pezullimit nga detyra të një prej anëtarëve të tij nuk është bindës për sa kohë bëhet fjalë për organ kolegjial, i cili i merr vendimet në mënyrë kolegjiale, me shumicën e votave. Po kështu, jemi të mendimit se kërkuesi nuk tregon që nuk ka mjete të tjera në dispozicion më pak të dëmshme për të adresuar situatën e krijuar.
5. Në këtë pikë, vëmë në dukje se në asnjë rast më parë, Gjykata nuk ka vendosur pezullimin e ekzekutimit të vendimeve gjyqësore jo vetëm kur janë ende në ankime e sipër nga palët sipas mjeteve të zakonshme të ankimit në dispozicion të tyre, por edhe kur ato janë bërë përfundimtare për efekt të kontrollit kushtetues, pra kur kanë ezauruar rrugën e rregullt të ankimit gjyqësor në gjykatat më të larta. Megjithatë, rasti konkret është edhe më delikat, pasi bëhet fjalë për vendime gjyqësore të cilat janë ende në proces kontrolli nga sistemi i gjykatave të zakonshme, aktualisht në gjykatën e posaçme të shkallës së dytë. Në këtë pikëpamje, vendimi gjyqësor duhet të ndjekë rrugën ligjore procedurale të ankimit në gjykatat e zakonshme dhe ndërhyrja nga Gjykata me vendim për pezullimin e efekteve të tyre në vetvete dëmton mirëadministrimin e drejtësisë. Me fjalë të tjera, vendimi i shumicës prima facie ndërhyn në veprimtarinë e gjykatave, duke krijuar një situatë që nuk pajtohet me nenin 145, pika 3, të Kushtetutës që mbron në nivel kushtetues integritetin e veprimtarisë së gjykatave nga çdo ndërhyrje gjatë kohës që çështja është në juridiksion gjyqësor, me pasojë sanksionimin sipas ligjit. Gjykata ka theksuar se në frymën e dispozitave të Kushtetutës për pavarësinë e gjyqësorit dhe ndarjen e pushteteve, elemente e pavarësisë, të cilat në thelb prekin vetë funksionin e dhënies së drejtësisë nuk duhet të cenohen (shih vendimin nr. 81, datë 21.11.2024 të Gjykatës Kushtetuese). Pavarësia nënkupton jo vetëm një qëndrim të caktuar ndaj ushtrimit të funksionit gjyqësor, por një pozitë ose marrëdhënie në raport me të tjerët që bazohet në ekzistencën e kushteve dhe garancive objektive (shih vendimin nr. 14, datë 22.05.2006 të Gjykatës Kushtetuese).
6. Në këtë optikë, ne, gjyqtarët në pakicë, çmojmë se në kontekstin e fakteve të paraqitura nga kërkuesi, pezullimi i vendimeve gjyqësore të shkallës së parë, që presin të shqyrtohen në apel, shkakton pasoja të tilla, që jo vetëm nuk zgjidhin ndonjë mosmarrëveshje kushtetuese, por dëmtojnë ekuilibrin e drejtë kushtetues që duhet të ekzistojë midis interesave që janë të pranishëm në çështjen konkrete (nga njëra anë mirëadministrimi dhe pavarësia e pushtetit gjyqësor, ndërsa nga ana tjetër ushtrimi i rregullt i kompetencave nga organet kushtetuese, Kryeministri, Këshilli i Ministrave, Prokuroria e Posaçme dhe Gjykata e Posaçme). Për rrjedhojë, jemi të mendimit se Mbledhja e Gjyqtarëve duhet të kishte vendosur rrëzimin e kërkesës për pezullimin e ekzekutimit të vendimeve gjyqësore, objekt kundërshtimi.
7. Përveç sa më sipër, ne, gjyqtarët Marsida Xhaferllari dhe Asim Vokshi, çmojmë se vendimet gjyqësore nuk duhet të ishin pezulluar edhe për faktin se jemi kundër kalimit të çështjes për shqyrtim në seancë plenare, me argumentin se nuk plotësohen kriteret paraprake të pranueshmërisë.
—
ANËTAR
/Asim Vokshi/ (d.v.)
ANËTAR
/Ilir Toska/ (d.v.)
KRYESUESE
/Marsida Xhaferllari/ (d.v.)
Vërtetohet njësoj me origjinalin
SEKRETARI I PËRGJITHSHËM
/Eugen PËRVALLE/




















