Bota e videolojërave është tronditur nga lajmi i ndarjes nga jeta të Vince Zampella-s, një prej emrave më me ndikim në industrinë e gaming-ut dhe bashkë-krijues i serisë ikonike “Call of Duty”. Zampella u nda nga jeta në moshën 55-vjeçare, pas një aksidenti automobilistik në Kaliforni, ku automjeti tip Ferrari u përplas dhe më pas u përfshi nga flakët.
Sipas raportimeve, ngjarja ndodhi në zonën malore në veri të Los Anxhelosit, në një segment të njohur për kthesat e rrezikshme. Autoritetet kanë bërë të ditur se automjeti doli nga rruga, u përplas me një barrierë betoni dhe u përfshi plotësisht nga zjarri; në makinë ndodhej edhe një pasagjer.
Vince Zampella ishte bashkëthemelues i Infinity Ward, studio që hodhi themelet e “Call of Duty” dhe e ktheu atë në një prej franshizave më të mëdha në historinë e videolojërave. Më pas, ai bashkëthemeloi Respawn Entertainment, studio e njohur për tituj si Titanfall dhe seria Star Wars Jedi, duke vijuar të mbetej një figurë kyçe në industrinë globale të lojërave.
Respawn Entertainment operon nën Electronic Arts (EA), dhe sipas raportimeve, Zampella mbante një rol drejtues e kreativ në projektet e studios dhe më gjerë.


















