E ftuar në episodin e 48-të të Apostrof Podcast, botuesja Anna Shkreli, reflekton në lidhje me mënyrën se si po ndikohet letërsia bashkëkohore shqipe në epokën digjitale dhe ku e humbet herë pas here qëndrueshmërinë e saj.
Shkreli vëren se një pjesë e madhe e letërsisë së sotme shqipe mbetet thellësisht sentimentale, shpesh në përpjekje për të qenë politike, por e ngërthyer njëkohësisht në procesimin e traumave të viteve 1990-të. Historitë familjare, zhvendosjet dhe lëvizja drejt qytetit janë kthyer në tema qëndrore, veçanërisht për shumë autorë të rinj. Ajo shton se kjo nuk tregon për një letërsi të dobët, por është një fazë e nevojshme, pasi tregon se më në fund po e përpunojmë të shkuarën tonë dhe traumat e saj.
Por njëkohësisht, Shkreli vendos një vijë të qartë ndarëse. Ndërsa autorët e mirë i përdorin këto përvoja për të ndërtuar histori që rezonojnë me lexuesin, të tjerë tundohen nga një lloj letërsie “globale”, e formësuar më tepër nga dëshira për të patur lexues dhe vëmendje se sa nga dija. Është fjala për një mënyrë të shkruari që synon histori të cilat mund të vendosen kudo në botë, por që ajo argumenton se shpesh rrezikojnë të mos vendosen askund.
Duke iu referuar idesë së Heminguejit se shkrimtarët duhet të shkruajnë për gjërat që dinë, Shkreli këmbëngul se letërsia e mirë nuk ka nevojë të fshijë lokalen që të mund të “udhëtojë” dhe të lexohet lehtësisht edhe nga një lexues ndërkombëtar. Nëse letërsia është e sinqertë dhe me rrënjët tek lokalja, thotë Shkreli, do të rezonojë pavarësisht gjeografisë së saj. Ajo shton gjithashtu se rreziku i epokës digjitale është imitimi dhe trysnia për të shkruar si ajo lloj letërsie që gjendet në qarkullim, shpesh pa e kuptuar atë.
Ndiq episodin e plotë të Apostrof Podcast: Poezia e kaosit urban: Të krijosh mes konfuzionit dhe ndryshimit të vazhdueshëm | Apostrof #48/TEMA




















