Vrasja e profesorit Nuno F.G. Loureiro, një prej emrave më të respektuar në kërkimin global mbi energjinë e fuzionit, ka tronditur jo vetëm komunitetin akademik amerikan, por edhe qarqet shkencore anembanë Evropës.

Loureiro, 47 vjeç, u qëllua disa herë me armë zjarri mbrëmjen e së hënës rreth orës 20:30 në banesën e tij në Gibbs Street, Brookline, Massachusetts, një lagje rezidenciale e konsideruar e sigurt.

Ai u gjet i plagosur në gjendje kritike, në hyrje të shtëpisë dhe ndërroi jetë të martën në Beth Israel Hospital. Prokuroria e Norfolk County ka konfirmuar se çështja po hetohet si vrasje, ndërsa deri më tani nuk ka të arrestuar, as motiv të shpallur zyrtarisht.

Policia konfirmoi se nuk ka shenja thyerjeje në banesë dhe se Loureiro nuk kishte raportuar më parë kërcënime apo konflikte.

Kjo ka përjashtuar, të paktën për momentin, pistën e një grabitjeje të dështuar dhe ka shtuar dyshimet mbi një akt të qëllimshëm.

FBI ka përjashtuar çdo lidhje me ngjarje të tjera të dhunshme në kampuse universitare, përfshirë një incident të fundit në Brown University.

Kush ishte Nuno Loureiro?

I lindur në Viseu të Portugalisë, Loureiro studioi fizikë në Lisbonë, mori doktoraturën në Imperial College London dhe punoi për vite me radhë në Institutin për Fuzionin Bërthamor në Portugali, përpara se t’i bashkohej MIT-së në vitin 2016.

Që prej majit të vitit të kaluar, ai drejtonte Plasma Science and Fusion Center të MIT-it, një laborator kyç me mbi 250 studiues, i fokusuar në dinamikën e plazmës, shpërthimet diellore, stabilitetin magnetik dhe zhvillimin e energjisë së pastër nga fuzioni – një teknologji që premton energji të pakufizuar, të lirë dhe pa ndotje.

Vetëm këtë vit, Loureiro ishte nderuar me Presidential Early Career Award for Scientists and Engineers, një nga çmimet më prestigjioze për kërkuesit në SHBA.

Reagimet

“Ai ishte një mendje e rrallë, i mprehtë, i sjellshëm dhe me një pasion që të përfshinte”, tha Stanislav Boldyrev, fizikan i plazmës në Universitetin e Wisconsin-Madison, me të cilin Loureiro kishte bashkëpunuar prej vitesh.

Dennis Whyte, ish-drejtues i qendrës së fuzionit në MIT, e përshkroi si “një lider të admiruar universalisht, mentor dhe mik”, ndërsa presidentja e MIT-së, Sally Kornbluth, e cilësoi vdekjen e tij si “një humbje shokuese për institucionin dhe shkencën”.

Në Portugali, reagimet erdhën nga universitetet, institutet kërkimore dhe autoritetet shtetërore, ku u mbajt edhe një minutë heshtje në Parlament.

Dyshimet

Paralelisht me hetimin zyrtar, në media ndërkombëtare dhe rrjete sociale janë përhapur spekulime për motive të mundshme gjeopolitike, për shkak të profilit të Loureiro-s, kërkimeve të tij në një fushë strategjike dhe kontekstit aktual të tensioneve ndërkombëtare.

Media izraelite, përfshirë Jerusalem Post dhe Maariv, raportuan se burime të inteligjencës po verifikojnë informacione paraprake, pa konfirmuar ndonjë pistë konkrete.

Ndërkohë, disa teori janë amplifikuar nga postime të fshira më pas dhe nga artikuj opinionistë, por asnjë institucion zyrtar amerikan apo izraelit nuk ka lidhur publikisht vrasjen me ndonjë shtet apo organizatë.

Fakti që një shkencëtar i këtij profili u qëllua për vdekje në shtëpinë e tij, pa shenja grabitjeje dhe pa autor të identifikuar, e ka kthyer çështjen në një enigmë që tejkalon kronikën e zezë.

Deri në përfundimin e hetimeve, rasti i Nuno F.G. Loureiro-s mbetet pezull mes fakteve të konfirmuara, boshllëqeve hetimore dhe dyshimeve që autoritetet ende nuk i kanë shpjeguar.

Një gjë, megjithatë, është e pamohueshme: me vdekjen e tij, shkenca humbi një nga mendjet më premtuese të brezit të tij.