Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky e ka akuzuar sërish Moskën të shtunën për sulme në infrastrukturën civile ukrainase, pasi më shumë se 650 dronë dhe 51 raketa kanë shkaktuar dëme në njerëz dhe objekte përgjatë natës.

“Shënjestrat kryesore të këtyre sulmeve ishin objektet e energjisë”, ka shkruar Zelensky në rrjete sociale.

“Synimi i Rusisë është që t’i dërrmojë miliona ukrainas, teksa ajo shkon në nivel aq të ulët, duke nisur sulme raketore në qytetet paqësore në Ditën e Shën Nikolasit”, ka thënë ai duke iu referuar 6 dhjetorit, nisjes së periudhës së Krishtlindjes.

Kjo datë simbolizon edhe Ditën e Ushtrisë së Ukrainës. Zelensky e ka përsëritur thirrjen e tij për më shumë presion ndaj Rusisë që t’i japë fund luftës së nisur në shkurt të vitit 2022.

“Ndërtesa kryesore e stacionit hekurudhor në qytezën Fastiv afër Kievit është djegur e gjitha. Sulmi ka qenë pa asnjë kuptim shikuar nga aspekti ushtarak”, ka thënë presidenti ukrainas.

Sipas tij, edhe rajonet e Dnjipros, Zaporizhjas, Odesas, Lvivit dhe Mikollaivit, janë prekur nga sulmet. Komanda Qendrore e ushtrisë së Polonisë i ka aktivizuar sistemet për mbrojtje, si pasojë e këtyre sulmeve. Ministri i Brendshëm ukrainas, Ihor Klymenko, ka shkruar në Telegram se është raportuar për të paktën tetë viktima në Ukrainë, nga tri në rajonet e Kievit dhe Dnjipropetrovskut dhe dy në rajonin e Lvivit.

Probleme me rrymë ka në shumicën e territorit të Ukrainës, për shkak të sulmeve. Sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes, sulmet e fundit e kanë shënjestruar sektorin ushtarako-industrial të Ukrainës dhe objektet e energjisë, si përgjigje të atyre që janë përshkruar si sulme ukrainase në shënjestra civile në Rusi.

Ukraina e ka rritur shkallën e sulmeve në tokën ruse këtë vit, ndërsa objektet e gazit dhe naftës kanë qenë shënjestrat kryesore. Për sulmet është raportuar teksa janë rritur përpjekjet diplomatike të Perëndimit për t’i dhënë fund kësaj lufte.

Rusia aktualisht kontrollon rreth një të pestën e territorit ukrainas, përfshirë rajone në Donbas, i cili përbëhet prej provincave të Donjeckut dhe Luhanskut.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022. Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL