Zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Edona Bilali ishte e pranishme në Konferencën Ndërkombëtare të Ekonomisë, që u mbajt pranë Universitetit të Shkodrës, me tematikë “Ekonomia e zgjuar: Formimi i së ardhmes me Inteligjencën Artificiale.”
Në fjalën e saj vuri theksin tek proceset transformuese që kanë pararojë kërkimin shkencor dhe në këtë pikë Universiteti i Shkodrës premton shumë. Së fundmi, në Fakultetin e Ekonomisë janë hapur dy programe doktorale falë mbështetjes së Znj.Bilali, e cila më parë ka qenë Deputete e Qarkut Shkodër, duke ngritur standardin e Universitetit dhe duke çuar përpara hapat e ndërkombëtarizimit.

Fjala e plotë:
I nderuar Rektor, të nderuar kolegë akademikë, kërkues shkencorë, të ftuar dhe pjesëmarrës të kësaj konference,

Është emocion dhe nder i veçantë për mua të jem sot këtu, në një prej institucioneve që kanë formuar dhe ushqyer për dekada elitën akademike të Shkodrës dhe më gjerë. Edhe pse nuk jam pedagoge e këtij universiteti, ndihem gjithmonë “si në shpi”—ndoshta ndikon fakti që në vitet e mia studentore Universiteti i Tiranës kishte të vetmin konkurent të denjë Universitetin e Shkodrës sa i përket konkurseve kombëtare e ndërkombëtare.

Jam e lutmur që mu dha rasti jo vetëm si shkodrane por edhe si ish ministre e deputete e këtij qarku për të facilituar shumë projekte e programe me përfitues këtë universitet. Ndër vite kam krijuar bindjen për cilësinë e studentëve të diplomuar në Universitetin e Shkodrës të cilët po shkëlqejnë në pozicione kyçe në Shkodër, në Shqipëri e kudo në botë.

Pas më shumë se një dekade e angazhuar në mësimdhënie në Universitetin e Tiranës, tashmë jam pedagoge edhe në Vjenë dhe mund të them me bindje që megjithëse ka ende shumë të bërë në infrastrukturë e logjistikë nga ana akademike stafi veçarisht i Fakultetit të Ekonomisë është i denjë jo vetëm në nivel vendas por edhe ndërkombëtar.

Për të mbajtur peshën e të qënurit person përfaqësues, aktualisht ‘shkodranja në qeveri’ Shkodra të imponon që të jesh gjithmonë “me libra në dorë”! si qytet i pakrahasueshëm për nivelin e kulturës por edhe të dashamirësisë dhe etjes për arsim.

Tema e kësaj konference, “Smart economy: reshaping the future with AI”, është një zgjedhje jo vetëm aktuale, por vizionare. Ekonomia e së nesërmes nuk do të ndërtohet mbi intuitë, por mbi të dhëna; jo mbi modelet tradicionale, por mbi inteligjencën artificiale, inovacionin dhe integrimin e tyre në proceset akademike, profesionale dhe institucionale. Ndaj, angazhimi juaj kërkimor në këtë fushë është kontribues i drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit.

Proceset transformuese kanë pararojë kërkimin shkencor dhe pavarësisht se në disa të tilla ne po marrim modele të testuara në vendet e tjera ka shumë për të bërë në secilën degë.

Në këtë kuadër, dua të theksoj një arritje të jashtëzakonshme për Universitetin “Luigj Gurakuqi”, bashkëpunimin ndërkombëtar në programin e doktoraturave në Austri, bashkëpunim i cili aktualisht përfshin dy programe doktorature:

1. International Economic Relations and Management
2. Educational & Communication Sciences

Ky partneritet është ndër gjërat që më kanë bërë më shumë krenare gjatë mandatit si deputete. Program unik doktorature në llojin e saj, pjesë e të cilit janë më shumë se 7 universitete në Europë. Pasi e përfundova këtë program me vlerësimin Summa Cum Laude (i rrallë për Austrinë) u investova masivisht për të realizuar një ëndërr: Universitetin e Shkodrës pjesë e konsociumit. Këtë ëndërr dhe rrugëtim intensiv pune e ndava me profesoreshë Blerta Dragushën që tashmë kam edhe kënaqësinë ta quaj mike.

Dua ta falenderoj publikisht për integritetin, korrektësinë dhe proaktivitetin e treguar gjatë negocimit me palën Austriake. Profesionalizmi i saj i zbardhi faqen Blertës, Universitetit të Shkodrës por edhe mua si garant i këtij bashkëpunimi.

Ky partneritet është një hap strategjik që e pozicionon universitetin në një arenë më të gjerë akademike evropiane. Sot kemi pedagogë të Universitetit të Shkodrës të angazhuar në këto programe, si dhe studentët e parë shqiptarë të regjistruar. Kjo është padyshim një arritje madhore.

Por dhe këtu po e them edhe me humorin e një pedagoge që e di sa të gjata janë listat e “detyrave të shtëpisë”—kjo arritje do të jetë e plotë vetëm kur të kemi studentë ndërkombëtarë që vijnë në Shkodër për të kryer kërkimin e tyre doktoral. Kjo është sfida e radhës e Universitetit Luigj Gurakuqi, dhe për ta arritur kërkon që ky universitet të vazhdojë të forcojë cilësinë akademike, ndërkombëtarizimin, infrastrukturën kërkimore dhe gjithë zinxhirin e shërbimeve që i japin një institucioni meritën e destinacionit shkencor.

Jam e bindur se ky universitet, me traditën, kapitalin njerëzor dhe ambicien që ka, do t’i përmbushë këto objektiva. Mjafton vetëm që secili prej nesh të mbajë gjallë të njëjtën energji pozitive, të njëjtin profesionalizëm dhe të njëjtin pasion për shkencën, që shoh sot në këtë sallë.

Në emrin tim personal, dua t’ju uroj sukses të plotë në punimet e konferencës. Uroj që diskutimet, prezantimet dhe idetë që do të shkëmbehen këtu të përkthehen në projekte konkrete, në kërkime të reja dhe në bashkëpunime të gjata, që e çojnë Shkodrën dhe Shqipërinë aty ku i takon në hartën akademike ndërkombëtare.
Ju faleminderit dhe suksese në të gjitha sesionet shkencore të kësaj konference!