Nga Blerina Moka

Në vitin 2026, Shqipëria vijon të prodhojë lajme nga më të pazakontat, duke na shkaktuar tronditje edhe këtë të dielë të javës së parë të vitit të ri, kur as dielli “me dhëmbë” pas ditëve mbytëse me shi, nuk mundi t’ja heqë shijen e keqe që na la.

Një video qarkulloi shpejt në rrjetet sociale, ku shihej një shtëpi e shndërruar sikur të kishte rënë bomba, dhe 3 fëmijë të pafajshëm që qëndronin para kamerës së telefonit të gjyshes së tyre, e mbushur me mllef ndaj ish-nuses.

Ajo dukej inekzistente para gjithë kësaj “stuhie” mediatike. Pak më vonë, në media u shfaq figura e saj, një grua e bukur që pozonte herë veshur dhe herë zhveshur, e kuruar deri në detaj.
Dhe këtu, shqipot “zbrazën karikatoren” e komenteve negative në drejtim të saj, duke e goditur direkt në zemër.

Çfarë nuk thanë dhe çfarë nuk shkruan, por askush nuk pyeti se si ishte jeta e këtyre fëmijëve para kësaj videoje, a ishin ndihmuar ndonjëherë nga shteti?

Për dijeni, nëse themi shteti në këtë rast, nënkuptoj shërbimin social në bashki, qendrat për mbrojtjen e fëmijëve, qendra sociale, shoqata etj që kanë si fokus këtë target grup, nëna që rrisin të vetme fëmijët e tyre.
Jo. Askund nuk thuhej asnjë rresht. Ishin vetëm lajmet që përcillte dikasteri i shëndetësisë që, në momentin kur u shfaq video, u bënë të gjallë “tja rrëmbenin” asaj “qëne nënë” (sic vdesin shqipot ta quajnë një nënë të keqe sipas tyre), pra, tja merrnin fëmijët dhe të kujdeseshin që të thonin se shumë shpejt do të mblidhej grupi teknik për tja hequr kujdestarinë.
Nëse lexon kodin e familjes, një nëneje i heqin kujdestarinë kur ajo paraqet rrezik për jetën e fëmijëve, përdor substanca narkotike, është e pamundur mendërisht, etj, por kurrsesi nëse ajo ka lënë për disa orë fëmijët në shtëpi, të moshës 12, 10 dhe 5 vjeç.

Por le të kthehemi tek video.

Gruaja deklaron se jeton me qira në një shtëpi në zonën e Plazhit, për të cilën paguan 300 mijë lek në muaj.
Për të përballuar detyrimet mujore, sërish duke iu referuar deklaratës së saj, ajo punon dy punë, një nga të cilat banakiere në një nga baret e qytetit dhe gjatë ditës ajo vjen dhe ikën në shtëpi.
Pa dashur të merrem fare me këtë zgjidhje të saj (të tjerë do të bënin ndryshe, si unë psh, që do e rrisja me prindërit e mi) ose dikush tjetër do i merrte për dore e do dilte të zgjaste dorën të lypte (edhe kjo ndodh në Shqipëri).

Por jo, gruaja ka zgjedhur të punojë. Ndërsa shërbimi social, që ka për detyrë të përgjigjet në rastet e tilla, kur një grua e vetme rrit me mundime 3 fëmijë, nuk duket askund.
Në Shqipëri, shërbimi social prej kohësh është shndërruar në një strukturë që bën vetëm listat emërore të pagesave të ndihmës ekonomike, invaliditetit.
Asnjë inspektor social nuk shihet në terren, “të krehë” zonën sic e ka të shkruar në përshkrimin e punës.
Ndryshe nuk do të shpjegoheshin raste tragjedie të vdekjes së të moshuarve në banesë në vetmi të plotë, apo raste si kjo e 3 fëmijëve të Blerinës.
Por çfarë ndodh në këto raste? Lukunia e “të moralshmëve” në rrjet i sulet një gruaje duke e denigruar. Media poston video të një gjysheje që vetëm këtë emër s’e meriton, pasi interesi i fëmijëve duhet të vihej mbi çdo gjë.

Dhe në fund? Lajmi për dërgimin e fëmijëve në spital dhe kujdesin për veshëmbathje dhe ushqime u postua menjëherë, ndërsa nëna thotë se ka paguar çdo gjë për 3 fëmijët e saj, jo shteti.
Kujdesem që të jem e drejtë me të dyja palët, por prirem të jem me fëmijët.
Dua vetëm të kujtoj se në Shqipëri, sipas të dhënave të INSTAT, 40.5% e popullsisë është në rrezik varfërie ose përjashtimi social.
Dhe këtu besoj bëjnë pjesë dhe fëmijët e Blerinës, që me pafuqishmërinë e tyre të jetojnë si të gjithë fëmijët e tjerë në familje normale, sot kërkojnë që nëse nuk keni se si t’i ndihmoni, të paktën mos i përdorni.
Sepse, pasojat e kësaj histerie sot, do t’i ndjejnë sapo të shkelin në shkollë, duke u bullizuar e denigruar, njësoj siç bëtë sot me nënën e tyre.