Në protestën e fundit, Sali Berisha gjatë fjalës së tij përpara kryeministrisë, veç të tjerash, u shpreh se jemi në kilometrin e fundit për të rrëzuar Edi Ramën dhe për të marrë pushtetin, sipas premtimeve të 4 viteve më parë se qeveria nuk bie pa mosbindje civile dhe pa protesta.

Siç u dëshmua dhe u pa, qeveria nuk ra, u hodhën disa fishekzjarre nga ana e protestuesve, molotov nga një grup të rinjsh i organizuar nga strukturat e PD-së dhe gazlotsjellës nga ana e forcave të rendit, i cili, siç doli më pas, ishte i skaduar.

Pavarësisht të gjithave, nëse duhet të besojmë kilometrin e fundit të Berishës, i bie që në protestën e 10 shkurtit, ky kilometër të realizohet dhe ‘profecia’ e kreut të PD-së të zërë vend.

Në daljen e sotme Berisha, veç të tjerash, do të deklaronte se “kemi në plan dhe projekt të gjitha format e mosbindjes civile. Ndaj PD kërkon dhe fton qytetarët që të bëjmë gjithçka për fitoren e kësaj beteje, por kjo kërkon qartësi. Kërkon që çdo qytetar të realizojë se kemi të bëjmë me një diktaturë autokratike, ku pushtet janë në një dorë”.

Pra, sipas kësaj shprehje të kreut demokrat, përballja e 10 shkurtit do të jetë finalja dhe kilometri i fundit.

Gjithsesi, në politikë duhet të ketë edhe një zotim: nëse në 10 shkurt, bie qeveria, meqenëse edhe 1 km ka ngelur, Berisha shpallet kryeministër.

Ndërsa përsëritet protesta e kaluar dhe të gjitha ato që janë bërë në këto vitet e fundit, për të mirën e PD-së dhe të Berishës do të ishte që data 10 shkurt të ishte kilometri i fundit i Berishës në krye të PD-së.

Pavarësisht çfarë themi ne, ngelet për t’u parë se cila prej zgjedhjeve do triumfojë./nl/TemA