Nga Hermes Kafexhiu

Viti i ri gjyqësor nisi sot!

Hapja e vitit të ri gjyqësor u shpall si një moment solemn reflektimi institucional. Në realitet, ajo funksionoi si një seancë publike ku drejtësia foli për veten, pa arritur ende të japë llogari për veten.

Në një sallë ku ishin mbledhur të gjithë aktorët e sistemit nga SPAK te Gjykata e Lartë, nga ekzekutivi te Presidenti u artikuluan shqetësime që nuk janë më teknike, por strukturore. Ato tregojnë se reforma në drejtësi, pas një dekade zbatimi, ka ndërtuar instrumente për të gjykuar politikën, por jo mekanizma funksionalë për të gjykuar performancën e vet.

Prokuroria e Përgjithshme foli për mbivendosje kompetencash, për paqartësi mes rolit të KLP-së dhe atij të Prokurorit të Përgjithshëm. Kjo nuk është thjesht një debat juridik. Është tregues i një sistemi që ende nuk ka vendosur hierarki të qarta përgjegjësie dhe që, për pasojë, e shpërndan dështimin në mënyrë kolektive, duke e bërë të pagjykueshëm individualisht.

Ndërkohë, drejtësia reale matet diku tjetër, te backlog-u prej rreth 140 mijë çështjesh. Një shifër që nuk u përball seriozisht në ceremoni, sepse ajo shifër përfaqëson pikërisht zonën ku drejtësia dështon çdo ditë.

Çdo çështje e prapambetur është një standard i shkelur. Çdo vonesë është një vendim i munguar. Dhe çdo pritje e gjatë është një formë e heshtur e padrejtësisë.

Kreu i Gjykatës së Lartë foli për cilësinë e arsyetimit dhe për kohën e arsyeshme. Por fakti që këto parime duhet ende të rikujtohen nga podiumi institucional tregon se ato nuk janë bërë normë funksionale e sistemit. Kur vendimet nuk zbardhen për muaj apo vite, problemi nuk është kapaciteti. Është mungesa e përgjegjshmërisë.

Ministri i Drejtësisë e artikuloi më qartë kontradiktën themelore të sistemit, pavarësia është kthyer në justifikim. Në shumë segmente, veçanërisht në Apel, normat minimale të përfundimit të çështjeve dhe volumi alarmant i dosjeve të prapambetura tregojnë se drejtësia nuk po e përdor autonominë për të rritur efikasitetin, por për të shmangur llogaridhënien.

Edhe më domethënëse është kultura ndëshkuese. Shqipëria vijon të mbajë një nga përqindjet më të larta të paraburgimit në Europë. Kjo nuk është as ashpërsi ligjore, as standard sigurie. Është shenjë e një vendimmarrjeje të varfër, që zgjedh masën më të rëndë jo sepse është më e drejta, por sepse është më e lehta për sistemin.

Kjo ceremoni u shpall si fillimi i një tradite. Në fakt, ajo nxori në pah paradoksin themelor të reformës, një drejtësi që ka ndërtuar statistikë për të gjykuar politikën, por që ende nuk ka ndërtuar standard për të gjykuar veten.

Pa këtë standard, çdo ceremoni mbetet vetëm një akt formal, ndërsa drejtësia vazhdon të funksionojë më shumë si sistem që flet për vlerat, sesa si institucion që i provon ato.