Sa herë që debati për Venezuelën reduktohet në formulën e thjeshtuar “ishte vetëm për naftën”, kemi të bëjmë jo me analizë, por me slogan. Nafta ishte e rëndësishme, po, por ajo nuk ishte as shkaku i vetëm, as objektivi përfundimtar.

Deri në vitin 2019, rafineritë amerikane merrnin pa problem crude oil venezuelian dhe e përpunonin falë aksesit në teknologji dhe në naphtha, një element që Venezuela vetë nuk e prodhon. Pra, marrëdhënia energjetike funksiononte.
Çarja ndodhi jo për arsye ekonomike, por politike dhe institucionale.

Në janar 2019, pas zgjedhjeve të kontestuara dhe protestave masive në Caracas, regjimi i Nicolás Maduro reagoi me dhunë shtetërore: ushtria në rrugë, dhjetëra të vrarë, mes tyre edhe një 15-vjeçar. Ky ishte momenti kur çështja venezueliane kaloi nga problem ekonomik në krizë legjitimiteti shtetëror.

Sanksionet amerikane të vitit 2019 nuk synuan drejtpërdrejt naftën si mall tregu. Ato goditën PDVSA-n, duke bllokuar pagesat dhe ndaluar eksportin e naphtha-s pra, duke prerë zinxhirin e përpunimit. Ky ishte një instrument presioni politik, jo grabitje resursesh.

Argumenti se SHBA “donte naftën” bie edhe për një arsye tjetër themelore: në atë moment, Shtetet e Bashkuara nuk kishin më varësi strategjike nga nafta venezueliane. Rrezikimi diplomatik dhe ushtarak nuk justifikohet nga një interes tregtar që tashmë nuk ekzistonte.

Ajo që konservatorët amerikanë e artikuluan qartë ishte diçka tjetër: stabiliteti hemisferik. Venezuela shihej si një shtet i kapur, i kriminalizuar, me lidhje të drejtpërdrejta midis elitës politike dhe rrjeteve të trafikut të drogës. Akuza për narko-terrorizëm ndaj Maduro-s dhe rrethit të tij nuk ishte retorikë; ishte bazë ligjore.
Nafta, në këtë kontekst, nuk ishte çmimi, ishte leva.

Gjatë dy mandateve të Trump, Maduro ofroi skenarë ekstremë: deri te dorëzimi pothuajse total i kontrollit të industrisë së naftës venezueliane. Këto oferta u refuzuan nga Presidenti Trump duke thënë: “SHBA nuk bashkëpunon me narko-terroristët që vrasin njerëzit në rrugë”. Kjo tregon qartë se problemi nuk ishte akses në resurse, por ndryshim regjimi.

Regjimi i Maduros nuk u ndëshkua sepse kishte naftë, por sepse kishte një regjim që përdorte naftën për të financuar represionin, për të mbajtur pushtetin dhe për t’u integruar në një ekonomi kriminale transnacionale, me mbështetje ruse dhe kineze.

Ta interpretosh gjithë këtë si “imperializëm për vaj” është një lexim ideologjik i cekët. Politika ndërkombëtare nuk funksionon me parulla morale, por me interesa shtetërore, rend, dhe legjitimitet.

Prandaj JO, nuk ishte për naftën. Ishte për një shtet që kishte pushuar së qeni shtet.

E kam ditur që ata që vetëquhen “liberal” janë kundër vetë kuptimit rrënjë të fjalës liberal që vjen nga latinishtja libertad, pra liri dhe neveria për ta veç sa rritet.
Viva Venezuela libre!