Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, i ka dorëzuar sot certifikatën kompanisë amerikane CWP për ndërtimin e një parku energjetik me kapacitet 600 MW në Tropojë.
Gjatë takimit për prezantimin e parkut eolik në Tropojë ku të pranishëm ishin edhe Kryeministri Edi Rama dhe e ngarkuara me punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Nancy VanHorn u dha edhe certifikata e autorizimit për realizimin e projektit. Nga ana e CWP merrnin pjesë CEO i kompanisë në fjalë për Europën si dhe përfaqësues të tjerë.
Kryeministri Edi Rama theksoi se: “Duke pasur parasysh eksperiencën e kompanisë dhe rrugëtimin e saj të suksesshëm në Europë, kam besim që do të përfitojmë dije të reja dhe një vlerë të shtuar në kulturën e punës dhe veprimit në një sektor kaq strategjik”.
Nga ana e saj, ministrja Balluku theksoi se investimi i kompanisë amerikane është një tregues i besimit të investitorëve të huaj ndaj Shqipërisë dhe politikave të ndjekura nga qeveria në sektorin e energjisë.




















