Gazeta britanike “The Telegraph” i ka kushtuar një artikull të gjatë bizneseve që Ivanka Trump dhe bashkëshorti i saj Jared Kushner po përpiqen të vënë në vijë në Mesdhe, duke u shfaqur gjithnjë e më shumë si figura kyçe të biznesit global, duke ndjekur nga afër filozofinë e famshme të Donald Trump për “artin e marrëveshjes”.

Ndërsa presidenti amerikan u tërhoq nga përpjekja për të aneksuar Groenlandën, vajza e tij po bënte një lëvizje të madhe në Mesdhe: sigurimin e një marrëveshjeje për zhvillimin e ishullit të Sazanit në Shqipëri.

Ivanka Trump, 44 vjeç, dhe Jared Kushner, përmes kompanisë së tyre investuese Atlantic Incubation Partners LLC, kanë arritur një marrëveshje me qeverinë shqiptare për ta kthyer Sazanin, një ishull i pabanuar dhe ish-bazë ushtarake shkruan “The Telegraph”, në një resort luksoz turistik.

Vlera e investimit përllogaritet rreth 1 miliard paund (1.4 miliardë dollarë), duke e shndërruar projektin në një nga investimet më të mëdha të huaja në Shqipëri.

Atlantic Incubation Partners lidhet me Affinity Partners, fond privat investimesh i themeluar nga Kushner pas largimit të Donald Trump nga Shtëpia e Bardhë në vitin 2020, fond i cili ka tërhequr miliarda dollarë, përfshirë edhe fonde nga Arabia Saudite.

Sipas Forbes, pasuria e përbashkët e çiftit Trump-Kushner vlerësohet rreth 1.1 miliardë dollarë, duke i renditur ata si anëtarët e dytë më të pasur të familjes Trump, pas vetë presidentit.

Ivanka Trump vizitoi Shqipërinë për disa ditë, e shoqëruar nga kryeministri Edi Rama, i cili e ka përqafuar hapur vizionin e investimit luksoz. Rama e ka cilësuar këtë projekt si një mundësi strategjike për zhvillimin e turizmit elitar, duke deklaruar se “Shqipëria ka nevojë për super-luksozin ashtu si shkretëtira ka nevojë për ujë”.

Komiteti Shqiptar i Investimeve Strategjike i dha dritën jeshile projektit më 30 dhjetor 2024, pak javë pas fitores së Donald Trump në zgjedhjet presidenciale. Plani parashikon ndërtimin e një hoteli luksoz, vilave private dhe infrastrukturës së nevojshme në një ishull që aktualisht nuk ka burime uji të pijshëm. Projekti pritet të hapë rreth 1000 vende pune.

Megjithatë, marrëveshja ka ngjallur polemika, shkruan “The Telegraph”.

Deputetë të opozitës kanë ngritur shqetësime për mungesë transparence dhe tenderim të hapur, ndërsa organizatat mjedisore kanë reaguar ashpër, duke theksuar se Sazani dhe zona e Zvërnecit kanë status të mbrojtur për shkak të vlerave të tyre ekologjike. Dhjetëra grupe i kanë kërkuar qeverisë shqiptare pezullimin e projektit.

Në të njëjtën kohë, aktivitetet e Kushnerit shtrihen edhe në Serbi dhe Lindjen e Mesme, duke ngritur pyetje në Uashington për konflikte të mundshme interesi, për shkak të rolit të tij jozyrtar si këshilltar i Donald Trump.

Pavarësisht kritikave, Ivanka Trump u shpreh entuziaste për vizitën e saj, duke e quajtur Shqipërinë “magjike”. Me Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe me ndikimin e tyre në rritje, duket se Ivanka Trump dhe Jared Kushner do të vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm në ndërthurjen e politikës, biznesit dhe diplomacisë globale.