Nga Johana Lubonja

Gazetari investigativ Artan Hoxha është paraqitur dje në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ku ka dorëzuar një audiopërgjim origjinal të regjistruar në demonstratën e 21 janarit 2011, ku u vranë katër protestues dhe u plagosën dhjetëra të tjerë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Në deklaratën e tij për mediat, Hoxha tha se në regjistrim dëgjohen qartë urdhërat e komandantit të Gardës për përdorimin e armëve në atë ngjarje.

Ky zhvillim shënon një hap të ri në rikthimin e hetimeve të rasteve të së kaluarës në sistemin e drejtësisë shqiptare: prej korrikut 2024 dosja për vrasjet e 21 janarit u regjistrua si procedim penal te SPAK pas një vendimi të Gjykatës së Strasburgut që e cilësoi atë si krim shtetëror dhe më pas u mor në dorë nga prokuroria e posaçme.

Përmbajtja e audiopërgjimit nuk është publikuar ende plotësisht, dhe sipas gazetarit akoma nuk është ekspertuar nga një laborator zyrtar sepse organi hetues nuk disponon kapacitetet e nevojshme, çka nënkupton se verifikimi teknik mund të bëhet jashtë vendit.

Në terma proceduralë, ky material i dorëzuar përbën një provë të re në procesin penal. Nëse konfirmohet e lidhur me rrethanat e komunikimeve, ajo mund të thellojë vëmendjen mbi hierarkinë dhe urdhëruesit e veprimeve të Gardës, përtej atyre që kanë rezultuar deri më tani nga vendimet e mëparshme gjyqësore. Këto vendime e kanë cilësuar vrasjen si pasojë e pakujdesisë.

Në aspektin politik e historik, ngjarja mbetet një nga momentet më traumatike në historinë e protestave në vend dhe ka qenë objekt i debateve të vazhdueshme për përgjegjësitë institucionale dhe politike.

Për momentin, mungon një koment zyrtar nga SPAK mbi përmbajtjen e këtij regjistrimi dhe mbi hapat e mëtejshme hetimore që do të ndiqen.

Nga ana tjetër, familjet e viktimave dhe opinionit publik presin një qartësim më të gjerë mbi përfshirjen e komandës së Gardës dhe çdo lidhje të mundshme me urdhëruesin që besohet gjerësisht që është Sali Berisha.

Ky i fundit gjatë viteve ka dhënë një seri versionesh të ndryshme dhe kontradiktore për vrajsjet.