Avokati Lulzim Alushaj ka publikuar një analizë të shkurtër mbi efektivitetin e Institucionit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD), duke vënë në pikëpyetje përdorimin e buxhetit dhe funksionimin e këtij institucioni.
Sipas tij, për vitin 2024 ILD ka shpenzuar rreth 4 milionë euro për të prodhuar vetëm 11 procedime disiplinore dhe 6 inspektime tematike, ndërsa janë trajtuar 1,374 ankesa qytetarësh.
Alushaj pyet: “Për çfarë na duhet ky institucion?”.
Postimi i plotë
“Prej 10 vitesh flasim e stërflasim për reformën në drejtësi, p.sh. marrim rastin e ILD (Inspektori i Lartë i Drejtësisë) që si detyrë funksionale ka hetimin disiplinor, inspektimet dhe ankesat e qytetarëve ndaj prokurorë e gjyqtarë.
Raportimi në Kuvendin e Shqipërisë në dhjetor 2025, për vitin 2024, nga ana e ILD-së nxjerr këtë panoramë të këtij institucioni:
1374 ankesa të trajtuara;
11 procedime disiplinore;
6 inspektime tematike.
Buxheti i Institucionit për vitin 2024 ishte 390 milion lekë ose gati 4 milion Euro! Pra 4 milion euro në vit për të grumbulluar ankesa dhe prodhuar vetëm 11 procedime disiplinore ndaj prokurorë/gjyqtarë!
Realiteti i qytetarëve nuk përputhet me rezultatet e ILD (1374 ankesa ~ 11 procedime në vit), pyeteni veten a ka kuptim që ILD të vijojë të konsumojë nga buxheti 4 milion euro dhe të jetë në këtë nivel?”, shkruan avokati.




















