Kuvendi i Shqipërisë pritet të votojë sot ratifikimin e marrëveshjes për pranimin e Republikës së Shqipërisë në Kartën e Bordit të Paqes, një organizëm i ri ndërkombëtar për ndërtimin dhe garantimin e paqes.
Gjatë fjalës së tij në seancë plenare, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, e cilësoi këtë vendim si një moment me rëndësi të veçantë politike dhe historike për vendin.
Sipas Ballës, Shqipëria është ftuar të marrë pjesë në këtë organizëm si Vend Anëtar Themelues, një ftesë që, sipas tij, përfaqëson një vlerësim të drejtpërdrejtë ndërkombëtar për rolin konstruktiv dhe të besueshëm të vendit në arenën ndërkombëtare.
“Shqipëria nuk ftohet si vëzhguese, por si bashkë-arkitekte në ndërtimin e një mekanizmi të ri ndërkombëtar për paqen,” u shpreh Balla, duke theksuar se ky zhvillim e vendos vendin nga periferia e diskutimeve globale në qendër të vendimmarrjes ndërkombëtare.
Ai bëri me dije se, sipas Kartës së Bordit të Paqes, pjesëmarrja e shteteve anëtare nuk cenon sovranitetin kombëtar, ndërsa angazhimi në misione dhe financimi janë vullnetare. Po ashtu, çdo shtet anëtar gëzon të drejtë të barabartë vote dhe rol aktiv në drejtimin strategjik të organizmit.
Duke iu referuar letrës zyrtare drejtuar Kryeministrit të Shqipërisë, Balla tha se Presidenti i Shteteve të Bashkuara e ka cilësuar nismën si një përpjekje historike për ndërtimin e paqes, e bazuar në një qasje pragmatike dhe të orientuar drejt rezultateve konkrete, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Sipas Ballës, ftesa për anëtarësim konfirmon forcën e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe pasqyron besimin ndaj politikës së jashtme shqiptare si të qëndrueshme dhe të përgjegjshme.
Fjala e plotë e Taulant Ballës:
Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë në Kartën e Bordit të Paqes
I nderuar drejtues i seancës,
Të nderuar kolegë deputetë,
Të nderuar qytetarë që na ndiqni,
Sot Kuvendi i Shqipërisë thirret të marrë një vendim me peshë të veçantë politike dhe historike,
që shkon përtej rendit të zakonshëm të ditës dhe lidhet drejtpërdrejt me rolin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Projektligji që kemi sot për shqyrtim dhe votim ka të bëjë me ratifikimin e Kartës së Bordit të Paqes,
një organizëm i ri ndërkombëtar, ku Republika e Shqipërisë është ftuar të marrë pjesë si Vend Anëtar Themelues.
Kjo ftesë përbën një vlerësim të drejtpërdrejtë ndërkombëtar për rolin konstruktiv dhe të besueshëm të Shqipërisë
dhe shënon një moment të paprecedent,
ku vendi ynë shihet si aktor që kontribuon në zgjidhje globale,
e jo thjesht si pjesë periferike e tyre.
Kjo ftesë nuk është e zakonshme.
Nuk është formale.
Dhe nuk është simbolike.
Në letrën zyrtare drejtuar Kryeministrit të Shqipërisë,
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës e cilëson këtë nismë si një përpjekje historike dhe madhore,
duke theksuar nevojën për një qasje të re në ndërtimin e paqes – një qasje pragmatike,
të orientuar drejt rezultateve konkrete,
larg modeleve tradicionale burokratike që kanë dështuar të prodhojnë stabilitet afatgjatë.
Bordi i Paqes, sipas Kartës, është një organizëm ndërkombëtar që synon stabilitetin,
rivendosjen e qeverisjes së ligjshme dhe të besueshme si dhe sigurimin e paqes së qëndrueshme,
gjithmonë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Është e rëndësishme të theksohet qartë:
Karta garanton se asnjë shtet nuk humbet sovranitetin e tij.
Asnjë detyrim nuk imponohet pa pëlqimin e shtetit anëtar.
Pjesëmarrja në misione është vullnetare.
Financimi është vullnetar.
Në të njëjtën kohë, anëtarët e Bordit kanë zë të barabartë, një votë secili, dhe peshë reale në drejtimin strategjik të organizmit.
Pikërisht në këtë frymë, Shqipëria ftohet jo si vëzhguese,
por si bashkë-arkitekte për themelimin e një mekanizmi të ri ndërkombëtar për paqen.
Ky është një kalim simbolik dhe politik nga periferia e diskutimeve globale në qendër të tryezës së vendimmarrjes,
dhe një dëshmi domethënëse se në politikën ndërkombëtare të sotme madhësia e një vendi nuk përcakton më peshën e tij politike;
atë e përcaktojnë besueshmëria, koherenca dhe vendosmëria.
Kjo ftesë konfirmon gjithashtu forcën dhe besimin e ndërsjellë në partneritetin strategjik Shqipëri–Shtetet e Bashkuara të Amerikës,
një partneritet që mbetet boshti kryesor i politikës së jashtme shqiptare.
Shqipëria vlerësohet si aleate e qëndrueshme dhe e besueshme,
që ndan të njëjtat vlera mbi paqen, sigurinë dhe rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla.
Fakti që Shqipëria ftohet si Anëtare Themeluese i jep vendit tonë një rol aktiv në formësimin e vizionit, parimeve dhe vendimmarrjes së Bordit të Paqes.
Ky besim nuk është i rastësishëm.
Ai është rezultat i një politike të jashtme koherente dhe të përgjegjshme ndër vite, e cila e ka pozicionuar Shqipërinë si shtet që respekton të drejtën ndërkombëtare dhe angazhimet e marra.
Për këtë arsye, Shqipëria perceptohet sot si aktor pa agjenda të fshehta,
i aftë të kontribuojë në procese të ndjeshme diplomatike.
Ftesa për t’iu bashkuar Bordit të Paqes rrit ndjeshëm profilin dhe vizibilitetin ndërkombëtar të Shqipërisë, dhe dërgon një mesazh të fortë: Shqipëria eksporton stabilitet, nuk e konsumon atë.
Kolegë,
Kjo ftesë është padyshim një nder për Shqipërinë dhe shqiptarët anembanë globit kudo që jetojnë e punojnë,
por mbi të gjitha është një përgjegjësi shtetërore.
Pjesëmarrja në Bordin e Paqes nuk shihet si përfitim imazhi,
por si angazhim për të kontribuar realisht,
ku çdo vendimmarrje do të udhëhiqet nga interesi kombëtar dhe përgjegjësia institucionale.
Sot nuk po votojmë për një parti.
Nuk po votojmë për një mazhorancë apo opozitë.
Sot po votojmë për Shqipërinë dhe për rolin që ajo zgjedh të luajë në botë.
Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste,
ju ftoj të mbështesim dhe të votojmë pro ratifikimit të Kartës së Bordit të Paqes.
Faleminderit.




















