BBC do t’i kërkojë gjyqësorit amerikan të hedhë poshtë një padi për shpifje të ngritur nga Donald Trump, i cili po kërkon 10 miliardë dollarë dëmshpërblim nga transmetuesi publik britanik për një video të redaktuar në mënyrë të diskutueshme të një prej fjalimeve të tij.
Trump ngriti padinë në dhjetor në Florida, duke akuzuar BBC-në për shpifje dhe për shkelje të një ligji për praktikat tregtare. Ai po kërkon 5 miliardë dollarë dëmshpërblim, plus interes, për secilën nga dy pretendimet.
BBC e transmetoi videon në programin e saj Panorama pak para zgjedhjeve presidenciale amerikane të vitit 2024. Raporti përmbante fragmente të redaktuara nga një fjalim që Trump mbajti më 6 janar 2021, i cili e bëri presidentin republikan të dukej se inkurajonte mbështetësit e tij të sulmonin Kapitolin e SHBA.
Mediat e huaja shkruajnë se sipas dokumenteve gjyqësore të paraqitura të hënën, avokatët e transmetuesit publik britanik thanë se do të kërkojnë hedhjen poshtë të padisë për mungesë juridiksioni personal në gjykatën federale në Miami, ku banon Trump. Ata kanë kohë deri më 17 mars për të paraqitur mocionin për shkarkim.
Avokatët e BBC argumentojnë se Trump nuk do të jetë në gjendje të provojë se dokumentari, i cili u transmetua jashtë Shteteve të Bashkuara, i shkaktoi atij ndonjë dëm të njohur ligjërisht.
Ata vërejnë se Trump u rizgjodh më 5 nëntor 2024, pasi programi u transmetua, duke fituar Floridën me një diferencë vendimtare prej 13 pikësh dhe duke përmirësuar performancën e tij në zgjedhjet e 2016 dhe 2020. Si rezultat, ata pretendojnë se pretendimi i tij nuk është ligjërisht i pranueshëm.
Kryetari i BBC-së Samir Shah më parë dërgoi një letër duke i kërkuar falje Trump, por gjesti nuk arriti të zbutte mosmarrëveshjen. Shah megjithatë ka thënë se transmetuesi është i vendosur të kundërshtojë çdo padi për shpifje.






