Presidenti i vendit, Bajram Begaj, këtë të mërkurë në rrjetin e tij social Facebook, përkujtoi Kongresin e Lushnjes, një nga ngjarjet e mëdha të historisë së kombit tonë.

Në 106 vjetorin e Kongresit të Lushnjes, Begaj vlerëson përpjekjet e përfaqësuesve nga të gjitha trevat, ku sipas tij shërbyen në mbrojtje të sovranitetit dhe tërësisë territoriale të kërcënuar të vendit.

“106 vjet më parë, në një moment kritik për ekzistencën dhe pavarësinë e shtetit të ri shqiptar, një grup përfaqësuesish nga të gjitha trevat dhe besimet fetare u mblodhën në Lushnje në mbrojtje të sovranitetit dhe tërësisë territoriale të kërcënuar të vendit.

Kongresi i Lushnjes dëshmoi pjekurinë politike të shqiptarëve për t’u ngritur mbi ndasitë dhe përçarjen, për të marrë në dorë fatin e vet, duke ringritur institucionet demokratike të shtetit, të sfiduar nga anarkia dhe luftërat, duke i dhënë Shqipërisë formën e një shteti modern dhe sovran.

Nderime dhe respekt për atdhetarët dhe burrështetasit shqiptarë, pjesëmarrës në Kongresin e Lushnjes, që certifikuan lindjen e shtetit modern shqiptar!”, ka shkruar Begaj.