Sali Berisha ka mbajtur një fjalim në diskutimet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, ku ka akuzuar shqiptarët si drejtues kryesorë të trafikut ndërkombëtar të drogës dhe ka etiketuar qeverinë shqiptare si të lidhur me klanet kriminale.
Në fjalën e tij, Berisha deklaroi se klanet shqiptare të drogës janë ndër eksportuesit kryesorë të kanabisit dhe aktorë të rëndësishëm në tregun europian të kokainës dhe heroinës, duke përmendur përqindje të larta të kontrollit të tregut në Britaninë e Madhe dhe Gjermani. Ai e cilësoi Shqipërinë si një “parajsë të parave të trafikut” dhe akuzoi kryeministrin Edi Rama për lidhje me rrjete kriminale, duke përdorur terma të tillë si “narko-diktator” dhe duke e krahasuar me figura autoritare.
Berisha pretendoi gjithashtu se pas zgjedhjeve të 11 majit janë dhënë qindra leje ndërtimi si “shpërblim” për ndërhyrje të klaneve kriminale në procesin zgjedhor, si dhe ngriti akuza për rrjedhje të të dhënave sensitive nga institucionet shtetërore drejt grupeve kriminale dhe armiqve të NATO-s.
Megjithatë, Berisha nuk është anëtar i delegacionit zyrtar shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës. Nga Partia Demokratike, pjesë e delegacionit është Albana Vokshi, dhe sipas burimeve politike, Berisha mund të ketë shfrytëzuar praninë ose hapësirën e delegacionit për të marrë fjalën në këtë forum ndërkombëtar.




















