Sot qarkulloi në media lajmi se SHBA do të pezullojnë për një periudhë të pacaktuar përpunimin e vizave të emigracionit për shtetasit e 75 vendeve të botës, përfshi këtu edhe Shqipërinë. Kjo vjen pak ditë pasi autoritetet amerikane publikuan javën e parë të janarit një grafik ku listoheshin sipas kombësisë, familjet që përfitonin më shumë ndihmë sociale. Të dy lajmet, por veçanërisht ky i sotmi u hodhën nga një pjesë e madhe e mediave shqiptare si një lloj “bombe” kundër popullit më “amerikan-dashës,” duke e paraqitur si provë të dështimit të emigrantëve shqiptarë.

Fillimisht vlen të sqarohet se është fjala vetëm për ata të cilët aplikojnë për vizë emigracioni, çka nënkupton ata që synojnë të bëhen shtetas permanentë në SHBA dhe nuk kemi të bëjmë me ndonjë formë ndëshkimi kombëtar. Për më tepër, diçka e tillë është aplikuar prej kohësh, jo vetëm në SHBA, por pothuajse në çdo shtet perëndimor që përballet me valë të mëdha emigracioni. Ata që mendohet se ka më shumë gjasa të përfundojnë në programet e ndihmës sociale, nuk iu jepet viza, ndonëse kjo nuk është bërë me baza kombësish e shtetesh më parë. Por, ajo që është më problematike qëndron tek paraqitja e gjithë kësaj historie si një “vulë turpi” për emigrantët shqiptarë në SHBA. Ajo që nënkuptohet qartësisht edhe pa u thënë me zë të lartë është se kjo përbën një provë abuzimi dhe teprimi nga ana e tyre.

Tani, nëse administrata aktuale amerikane do të shqetësohej me të vërtetë se të huajt po pasurohen duke shfrytëzuar sistemin dhe duke përfituar nga taksapaguesit amerikanë, atëherë ajo nuk do të kishte nisur prej kohësh reduktimin e fondeve të ndihmës sociale për një sërë programesh kyçe, që prekin edhe qytetarët amerikanë. Emigrantët në këtë rast janë thjesht një pikë hyrëse më e lehtë sepse është më e thjeshtë t’i diferencosh, ndërsa ata vetë e kanë më të vështirë të mbrohen .

Nga ana tjetër, grafika nuk na shpjegon se sa nga ato 43% familje shqiptare, por edhe të kombësive të tjera, e marrin me të drejtë ndihmën sociale dhe sa abuzojnë me të, nëse kemi të bëjmë me abuzim masiv. Sistemet e ndihmës sociale ekzistojnë pikërisht për t’u përdorur kur gjendesh në vështirësi: në raste sëmundjesh të rënda, paaftësish fizike, punësimit të paqëndrueshëm; kur e ke të pamundur të punosh pasi duhet të kujdesesh për një të afërm të sëmurë ose edhe në raste tronditjesh të befta ekonomike. Ideja që njerëzit duhet ta durojnë varfërinë në heshtje e me shpirt ndër dhëmbë për ruajtur çfarëdo krenarie është thjesht argument mizor moral dhe jo ekonomik.

Por le të qartësohemi pak se çfarë ndihme japin programet e welfare në SHBA. Shumica e tyre ofrojnë mbështetje modeste për nevojat më elementare dhe janë tepër të rregulluara, gjë që e bën të vështirë për t’u pranuar. Thënë ndryshe, në zemër të sistemit është ideja e refuzimit, pikërisht për shkak të dyshimit se po të jepeshin para falas, të gjithë do të abuzonin. Për shembill, Ndihma Suplementare për Ushqim (SNAP) konsiston në disa qindra dollarë ($300-$900 në varësi të shtetit) në muaj për një familje. Asistenca për Familjet në Nevojë (TANF që varion afërsisht nga $200-$900 në muaj për familje dhe që ka rrezik të pritet si program), në shumë shtete mbulon me vështirësi edhe një fraksion të qirasë mujore. Pra, të thuash që njerëzit në SHBA po pasurohen përmes ndihmës sociale është çmenduri. Ndihma sociale është një dyshek sigurie ku ti mund të biesh butë në kohë vështirësish, jo shkallë drejt një jete luksi e rehatie.

Ajo që është edhe më e rëndësishme është se pranimi i kaq shumë familjeve të cilësdo kombësi në programet e ndihmës sociale, nuk përbën akuzë ndaj emigrantëve, por ndaj sistemit brenda të cilit ata luftojnë për të mbijetuar. Përgjithësisht, emigrantët në çdo shtet janë të përqendruar në punë me paga minimale dhe shpesh të pasigurta: pastrim, ndërtim, shërbime ushqimi, përkujdesje, apo delivery. Janë të gjitha punë me orë të paqëndrueshme, ku ti nuk paguhesh nëse nuk punon edhe nëse e ke të pamundur sepse je sëmurë, dhe mbi të gjitha janë punë ku paga nuk arrin të mbajë ritmin e qirasë, shpenzimeve shëndetësore dhe kostove ushqimore. Nëse dikush punon me kohë të plotë – ose pothuajse të plotë – dhe prapë nuk mbulon dot nevojat më bazike të jetës pa ndihmë sociale, atëherë problemi nuk qëndron tek etika e tij e punës, por te tregu që ka normalizuar varfërinë.

Nëse ka njerëz që edhe pse punojnë mbeten të varfër, ndihma sociale përbën një subvencion, pasi punëdhënësi nuk e paguan aq sa i nevojiten për kushtet bazë të jetesës. Shteti ndërhyn jo sepse emigrantët, apo edhe vendasit që përfitojnë asistencë, janë dembelë, por sepse ekonomia është strukturuar për të mbajtur sa më të ulët koston e punëtorit. Tek e fundit, shumica e shqiptarëve dhe emigrantëve nga çdo kombësi, nuk i hyjnë rrugës së emigracionit drejt perëndimit vetëm për mundësi punësimi, por mbi të gjitha sepse mendojnë që po shkojnë në një vend ku, në momentin që do të gjenden në vështirësi dhe do jenë të pamundur t’i dalin zot jetës, shteti dhe institucionet do ndërhyjnë për t’iu garantuar njëfarë dinjiteti bazik.

Megjithatë, kontradikta e ekonomisë së strukturuar për të ulur kostot e punës thellohet edhe më shumë në vende si SHBA, veçanërisht për faktin sepse konsiderohen si një nga shoqëritë më të pasura që kanë ekzistuar ndonjëherë. Pak kund tjetër sheh të qëndrojnë në majë të ekonomisë figura si Elon Musk, pasuria e të cilëve dikur do të kish qenë e paimagjinueshme. Dhe, kur një numër i madh punëtorësh që gjenerojnë kaq shumë vlerë ekonomike nuk përballojnë dot kushtet bazë të jetës, atëherë pikëpyetja morale nuk është se pse aplikojnë për ndihmë sociale, por përse pasuri kaq ekstreme shpërblehen me ulje taksash dhe mbrojtje politike?

Ndaj, paraqitja e marrjes së ndihmës sociale si një vulë turpi kombëtar, apo si turp në përgjithësi, nuk shërben për asgjë tjetër veçse për të zhbërë përgjegjësinë, duke e zhvendosur fajin nga pagat e ulëta, derregullimi i punësimit dhe pabarazia, tek ata më të pafuqishmit për të ndryshuar rrethanat e jetës së tyre. Ndihma sociale nuk është provë e dështimit të emigrantëve, por e një sistemi që kërkon me doemos krahë pune, pa pranuar t’iu sigurojë atyre dinjitet në këmbim.

Nëse kjo është e vështirë për t’u pranuar, atëherë “turpi” i takon sistemit dhe jo njerëzve që përpiqen të mbijetojnë brenda tij.