Kur është fjala për rritjen ekonomike, të gjithë e duam atë. Ndonëse jo gjithmonë e përkufizuar qartë dhe mund të mos jemi plotësisht dakort se çfarë kuptojmë me “rritje”, të gjithë e adhurojmë si një ungjill laik të ditëve tona. Rritja është ajo çfarë politikanët na premtojnë në mungesë të imagjinatës; ajo çka ekonomistët vënë në dukje, që si e si të mos flasin për konflikte të mundshme sociale sepse ato janë gjithnjë të parehatshme; rritja është ajo çfarë media “vdes” të përsëritë në tituj lajmesh e artikujsh për të përçuar siguri sa herë që pasiguria rrezikon të ngrejë kokë dhe të dalë në sipërfaqe. Vënia në dyshim e saj (rritjes) shihet si joracionale, pasojë e nostalgjisë që kërcënon zhvillimin e mëtejshëm ekonomik të shoqërisë. Ato pak programe politike që paraqiten në kohë zgjedhjesh, thuajse gjithnjë tkurren në një metrikë të vetme – shifra më të larta, rritje e konsumit – ndërsa askush nuk ka interes të analizojë rrethanat në të cilat kjo rritje ekonomike prodhohet dhe mënyrat e jetesës që riorganizon.

Gjatë dekadës së fundit, rritja ekonomike në Shqipëri është lidhur ngushtë me turizmin. Ndërsa e lavdërojmë si një sektor nga i cili të gjithë përfitojmë në një mënyrë apo në një tjetër, shpesh injorojmë rolin e tij në riformësimin e tregut të banesave, punës dhe jetës së përditshme. Teksa mbajmë shënim shifrat që rriten, harrojmë se rritja prodhon njëkohësisht fitues dhe humbës: njerëz që e gjejnë veten në majë të suksesit dhe të tjerë të dënuar të mbeten të padukshëm. Dhe në momentin që pasojat sociale të zgjerimit ekonomik fillojnë të shfaqen – në formën e qirave të paarritshme apo punës informale – ato rrallëherë adresohen në nivel politikash. Përkundrazi, në vend që të trajtohen përmes rregullimit apo mbrojtjes sociale, pasojat e rritjes bien mbi individin, derisa institucionet të mos kenë më mundësi t’i injorojnë.

Në Shqipëri, pasojat sociale të rritjes ekonomike të mbështetur te turizmi shfaqen kryesisht vetëm kur kthehen në çështje policore. Një nga shembujt më të qartë të kësaj dinamike janë aksionet thuajse të përditshme të policisë që vënë në shënjestër punonjëset e huaja të seksit, kryesisht nga Amerika e Jugut dhe Azia Lindore ose Juglindore. Aksione që janë kthyer tashmë në rutinë për ciklin shqiptar të lajmeve, jo sepse kanë diçka të re për të treguar, por sepse përshtaten natyrshëm me skenarin e njohur, ku një realitet kompleks reduktohet në një problem që “zgjidhet” përmes ndërhyrjes së policisë.

Ndërsa për median këto aksione përbëjnë një burim të qëndrueshëm lajmesh në ditë të varfra nga zhvillime të tjera – dhe për policinë një tregues të dukshëm të efikasitetit të saj – ajo që mbetet pa u analizuar është se çfarë përfaqësojnë realisht këto arrestime. Nëse puna e policisë vlerësohet kryesisht nga numri i personave që “bien në pranga”, atëherë kemi të bëjmë me një stimul të rrezikshëm. Një stimul që shënjestron më lehtë individë të përfshirë në aktivitete informale jo të dhunshme, për të cilët mbrojtja ligjore dhe sociale është minimale.

Ky është një problem që pritet vetëm të thellohet, teksa ekonomia shqiptare riorganizohet gjithnjë e më shumë rreth turizmit. Është e vërtetë që turizmi sjell hotele boutique dhe restorante cilësore, por ai transformon gjithashtu tregun e banesave, punën dhe ekonomitë informale. Në qytetet më të prekura, lagje të tëra po gërryhen nga Airbnb-të dhe qiratë ditore. Banesa dikur të lidhura me komunitete të qëndrueshme po shndërrohen gjithnjë e më shpesh në hapësira të përkohshme kalimtare, ku mungon jo vetëm lidhja mes qiradhënësit dhe qiramarrësit, por edhe ]do formë përgjegjësie. Këto hapësira janë ideale jo vetëm për turizmin, por edhe për punën informale dhe, në raste të caktuara, për ata që përfitojnë nga trafiku i qenieve njerëzore.

E gjithë kjo nuk është rastësi. Prej kohësh tashmë, Shqipëria mbetet një destinacion relativisht i lehtë për t’u aksesuar krahasuar me vendet e BE-së apo shtete të tjera perëndimore, ku regjimet e vizave janë shtrënguar. Kjo e ka bërë vendin tërheqës për shumë gra dhe vajza të reja që ndërkaq ekzistojnë në skajet e mobilitetit global – jo për shkak të sigurisë apo dinjitetit më të madh që ofron vendi ynë si destinacion, por sepse është më i arritshëm.

Këtu kontradikta bëhet e pamohueshme. Nuk mund të ndërtojmë një ekonomi që tërheq turistë, ul barriera kufitare dhe inkurajon kthimin e banesave në Airbnb, për t’iu përgjigjur më pas pasojave të parashikueshme duke arrestuar njerëzit më vulnerabël brenda këtij sistemi. Nuk mund ta bëjmë të lehtë hyrjen e të huajve në Shqipëri dhe pastaj t’i ndëshkojmë ata që përpiqen të mbijetojnë brenda rrethanave që vetë ne kemi krijuar.

Ka ardhur momenti të përballemi me një zgjedhje që e kemi shmangur për shumë kohë, duke u fshehur pas videove të aksioneve policore, titujve sensacionalë dhe ambiguitetit moral. Ose duhet të hapim një diskutim serioz për legalizimin e prostitucionit dhe trajtimin e tij si punë – me rregulla, të drejta, mbrojtje shëndetësore dhe mekanizma kundër shfrytëzimit – ose duhet të pranojmë hapur se duam një sistem me dyer të mbyllura dhe të shtrëngojmë politikat kufitare. Ajo që nuk mund të vazhdojmë të bëjmë është të zgjedhim versionin më të keq të të dyjave: kufij relativisht të hapur dhe kriminalizim ekstrem të një forme pune informale.

Njëkohësisht, duhet patur parasysh se kriminalizimi i prostitucionit nuk e eliminon atë, por vetëm e shtyn drejt pasigurive më të mëdha, duke e bërë më të vështirë raportimin e abuzimeve, marrjen e kujdesit shëndetësor dhe bashkëpunimin me autoritetet në rastet kur kemi të bëjmë realisht me trafik të qenieve njerëzore. Duhet të mendojmë seriozisht nëse personat që janë ndërkaq vulnerabël – gra dhe vajza të reja, shpesh të huaja, që nuk njohin gjuhën dhe iu mungon çdo rrjet shoqëror – duam vërtet që t’i kthejmë në kriminelë brenda natës, shpesh duke i lënë me rekorde të përhershme kriminale për akte që nuk kanë dëmtuar askënd. Nëse jo, nëse e kemi seriozisht luftën kundër trafikut, atëherë kriminalizimi i prostitucionit është strategjia më pak efikase që mund të imagjinojmë sepse ilegaliteti është terreni më pjellor për lulëzimin e trafikantëve. Ata mbështeten tek frika, heshtja dhe kërcënimi me arrest apo deportim ndaj viktimave të tyre dhe çdo operación policor që shënjestron punëtoret në vend të strukturës, vetëm sa e përforcon këtë disbalancë pushteti.

Nuk bëhet fjalë për të romanticizuar një industri që shpesh është brutale dhe shfrytëzuese, por për të qenë të sinqertë së pari me veten: ose e njohim prostitucionin si punë dhe vendosim rregullat përkatëse, ose të ridizenjojmë politikat tona kufitare dhe të turizmit për të reflektuar qëndrimin moral që pretendojmë se mbajmë. Çdo gjë tjetër e ndërmjetme do të ishte thjesht një performancë, që në fund të ditës mbetet larg zgjidhjes së problemit. Por, ndoshta e vërteta e parehatshme është se sistemi aktual na shërben më së miri të gjithëve ne: policisë, pasi siguron kohën e nevojshme në media për të promovuar efikasitetin e saj; medias sepse ka gjithmonë një burim të qëndrueshëm përmbajtjeje dhe publikut që garantohet gjithmonë se “po punohet” për sigurinë e tij. Të vetmit që iu duhet të paguajnë për këtë, janë ata më pak në gjendje për t’u vetëmbrojtur. Kjo duhet të mjaftojë për të kuptuar se kujt i shërben sistemi dhe kë supozohet të lërë gjithmonë të pambrojtur./TEMA