Kritere dhe kushte të vendosura qartë se kur duhet marrë një masë sigurie arrest me burg, ndryshime në Kodin e Procedurës që përcaktojnë një numër veprash penale për të cilat nuk mund të vendoset paraburgimi si dhe uljen e afateve të paraburgimit. Këto janë propozimet e para të bërë nga ekspertë ndërkombëtarë për të adresuar problematikën me shifrat e paraburgimit në vend.
Në një tryezë të thirrur nga ministri i drejtësisë Besfort Lamallari, Nicola Lettieri, Zëvendësprokuror i Përgjithshëm në Gjykatën e Lartë të Kasacionit të Italisë, tha se në nenin 228 të Kodit duhet të hiqet togfjalëshi “dyshim i arsyeshëm” dhe të zëvendësohet me fjalët që një masë sigurie vendoset kur ka “baza të arsyeshme për prova apo indicie”.
“Një çështje ku jemi përqendruar janë edhe kriteret e arsyetimit ligjor, sepse ajo që kemi dashur të shmanget është që gjyqtari mund të miratojë një masë vetëm duke iu referuar kërkesës që vjen nga prokurori, pa bërë asnjë përpjekje të shohë dosjen dhe për të krijuar opinionin e tij. Ne sugjerojmë dy ndryshime në nenin 245, kur kërkohet paraburgim, gjykata duhet të tregojë arsye specifike përse e konsideron këtë ndalim të përshtatshëm. Nëse kjo nuk bëhet atëherë mund të apelohet në gjykatën e shkallës më të lartë”, tha Nicola Lettieri.
Theo Byl, gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Antwerp në Belgjikë sugjeron rishikimin e tipologjisë së veprave penale, për të cilat gjykata mund të vendosi një masë paraburgimi.
“Duhet të vendosim për tipologjinë e çështjeve që nuk do lejojmë të ketë paraburgim, psh për një vjedhje e thjeshtë. Mund të bëhen më pak paraburgime dhe të jetë politika të vendosë që për kategori të caktuara veprash penale gjyqtarët nuk mund të vendosin masë paraburgimi. Në legjislacion mund të përfshihet përpjekja për të kufizuar paraburgimin me ligj”, tha Theo Byl.
Të dy ekspertët veçuan edhe masat alternative më të buta se paraburgimi, ndërsa gjyqtarët duhet ta arsyetojnë me argumente shteruese çdo masë arresti.
Në fjalën e tij, Ministri i Drejtësisë Lamallari tha se situata aktuale me paraburgimin në vend duhet të marrë fund, dhe koha për veprim është tani.




















