Shiu nuk ka ndërmend të ndalet në territorin shqiptar, teksa ka vijuar edhe pasditen e kësaj të mërkure, 7 janar 2026.
*Në Durrës* , një tjetër rrebesh uji ka rënduar situatën në qytet. Raportohet se ka pasur trafik të rënduar të makinave në qytet dhe në Shkozet.
Në *Lezhë* , prurjet në lumin Gjadër janë të larta, duke sjellë probleme në disa njësi administrative. Po ashtu, është dëmtuar edhe shëtitorja e Shëngjinit.
Në *Vlorë* , reshje shiu intensive kanë përfshirë gjithë zonën, ndërsa ekziston rreziku për daljen e Vjosës nga shtrati. Në Gjirokastër, dalja nga shtrati i përroit të Ficos ka shkaktuar përmbytje masive në banesa e në biznese.
Në *Shkodër* , në Obot ka prezencë uji 30-40 cm. Në disa zona malore, si Boga, Kelmendi, Thethi, ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike. Mungesë të energjisë elektrike aktualisht ka zona e Kelmendit dhe e Bushatit. Të gjitha strukturat po punojnë për përmirësim të situatës.




















