Nga Musa Kurtulaj

Si ka mundësi që edhe kaq gjë nuk kuptojnë në lidershipin e PD ?-

“”
A matet forca e një partie politike me molotovë, fishekzjarre me kapacitet të lartë rrezikshmërie dhe skena kaosi që vënë në rrezik jetën e njerëzve?
Nëse po, atëherë demokracia tek ne është keqkuptuar thellë.
Protesta e thirrur nga Sali Berisha mbrëmjen e 24 janarit në Tiranë tregoi pikërisht këtë: zjarr, dhunë, përplasje e pasoja reale —protestues të lënduar dhe efektivë policie të plagosur. Këto nuk janë pamje të një force politike demokratike, përkundrazi, të një partie të dhunëshme po, por edhe shenja alarmi për çdo shoqëri demokratike.
Protesta është mjet qytetar për të shprehur kundërshtimin dhe për të bindur sa më shumë e jo për të frikësuar njërëzit. Kur ajo shndërrohet në dhunë, mesazhi humbet, kauza zbehet dhe besimi i publikut rrënohet. Asnjë ide politike nuk bëhet më e drejtë nëse shoqërohet me zjarr dhe rrezik për jetën.
Ku shkon Partia Demokratike, si forca kryesore e opozitës, me këto skena dhune ?!
Si pret të qeverisë nesër, kur sot nuk arrin të garantojë apo zhvillojë një protestë paqësore?!
Si kërkon besimin e qytetarëve, kur edhe ata që e ndjekin pas i ekspozon rrezikshëm ndaj dhunës?
Demokracia ndërtohet me argument, vizion dhe përgjegjësi — jo me akte anarkie. Dhuna nuk tregon guxim, por pafuqinë për të bindur. Dhuna nuk është fuqi politike, por dështim moral dhe strategjik i asaj partie që e aplikon në protesta.
Opinionit publik nuk i fiton zemrën duke e trembur, përkundrazi, në raste të tilla besimin ta kthen në urrejtje. Në momentin që qytetari ndihet i rrezikuar dhe jo i përfaqësuar, besimi humbet.
Një parti që zgjedh dhunën si gjuhë politike, në fakt ka pranuar humbjen para se të kërkojë fitoren. Si ka mundësi që edhe kaq gjë nuk e kuptojnë në lidershipi i PD-së, apo duan ta lënë këtë parti përjetësisht në opozitë ?!