Kuvendi i Shqipërisë votoi me 110 vota përfaqësimin e Shqipërisë në bordin e paqes.
Gazetari Ardit Rada tha për “ABC News” se opozita po përpiqet t’ia vështirësojë rrugën Ramës drejt Shtëpisë së Bardhë dhe se është një përpjekje duke shfrytëzuar mungesën e një ambasadori amerikan në Shqipëri. Sipas tij kjo vështirëson mesazhet e Uashingtonit që të mbërrijnë më qartë për politikën në Tiranë.
Më tej, Rada tha se përpos kontributit dhe mbështetjes në luftën kundër krimit apo forcimit të demokracisë, fokusi amerikan ka qenë te investimet, duke përmendur parkun eolik në Tropojë dhe vizitën e Ivanka Trump dhe Jared Kushner.
”Opozita nuk është se nuk e kupton rëndësinë e çështjes, por është një përpjekje për t’ia vështirësuar rrugën Ramës drejt Shtëpisë së Bardhë. Është ajo fabula që kemi degjuar edhe kur votohej reforma në drejtësi, se PD bëhet shumë merak për sovranitetin dhe Kushtetutën. Ndërkohë që SHBA kanë dalë garante të demokracisë në Shqipëri prej 100 vitesh edhe kur Berisha ishte në Partinë e Punës.
Pretendimet se SHBA do ta marrin një politikan shqiptar me helikopter, kanë ndodhur vetëm një herë realisht. Është diskutuar vetëm në ’98, në shtator, që dikush mund të rrëmbehej nga amerikanët dhe ai ka qenë Sali Berisha. Pasi mori dy tanke dhe i vuri para selisë në 14 shtator, dy zyrtarë amerikanë i shkuan në PD dhe i dhanë ultimatum t’i hiqte se ndryshe do kishte fatin e Manuel Noeriegës në Panama. Dhe ashtu ndodhi, që Berisha 10 minuta më pas ia ktheu tanket shtetit.
Unë nuk di që një president nga njëra anë të sjellë vajzën dhe dhëndrin në Shqipëri të investojnë dhe mbështet vizitën e tyre, nga ana tjetër të marrë Kryeministrin që do të firmosë për projektet e familjes së tij. Para vizitës së Ivanka Trump dhe Jared Kushner është rasti i parkut fotovoltaik, që një kompani amerikane mori certifikimin nga Belinda Balluku për një park eolik në Tropojë. Dhe këto ngjarje tregojnë së Shqipëria po bën çdo gjë për t’i garantuar biznesit amerikan klimën që kërkon Uashingtoni” – tha Ardit Rada në emisionin “Ora e fundit”.




















