residenti i SHBA-së, Donald Trump, ka zbuluar se si arriti të bindte homologun e tij francez, Emmanuel Macron, të trefishonte çmimet e barnave duke përdorur kërcënimin e tarifave të larta për produktet franceze.
Gjatë një deklarate për ligjvënësit republikanë, Trump tha se kërkoi nga Franca të rrisë çmimet e barnave me recetë pasi konsumatorët amerikanë po paguanin shumë më tepër se ata francezët, duke përmendur një diferencë deri në “14 herë” më shumë.
Fillimisht, Macron refuzoi kërkesën, por Trump tha se i dha një ultimatum liderit francez: ose të pranonte rritjen e çmimeve të barnave, ose të përballej me një tarifë 25% për të gjitha importet franceze, duke përfshirë edhe verën dhe shampanjën. Sipas Trump, ky kërcënim e detyroi Macronin të pranonte kërkesat e SHBA-së. Presidenti francez, sipas Trump, i tha: “Donald, jemi dakord. Do ta rris çmimin e barnave, por të lutem mos ia thuaj popullsisë”.
Në fund, Franca rriti çmimin e barnave të recetës nga 10 dollarë për pilulë në 30 dollarë, ndërkohë që çmimet për konsumatorët amerikanë ranë. Trump theksoi se kërcënimi me tarifa ishte një masë e suksesshme për të arritur këtë marrëveshje, duke e cilësuar atë si një fitore për Shtetet e Bashkuara.




















