Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka publikuar sot pjesë nga dosja hetimore për hakerimin e sistemit në Prokurorinë e Posaçme.

Në pjesën e dosjes që ka publikuar Sali Berisha, të pandehurit Arnold Rrokaj dhe Zambak Gjoni komunikojnë me njëri tjetrin.

Sipas pjesës së dosjes që ka bërë publik Berisha Rrokaj i dërgon mesazh Gjonit ku flasin për hakerimin e sistemit, ndërsa përmendet edhe kryeministri Edi Rama.

Berisha theksoi se dosja dëshmon se Edi Rama është autori i vërtetë që ka organizuar dhe urdhëruar hakerimin e dosjeve në SPAK.

Në datën 12 shkurt 2025, ora 21:17, Arnold Rrokaj i dërgon Zambak Gjonit një foto që duket si faqe interneti, nga e cila mund të aksesohen sistemet e SPAK. Më pas, ai i dërgon një SMS me përmbajtjen:

“A mos e hapsha dot“.

Më tej, Arnold Rrokaj i dërgon sërish një SMS Zambak Gjonit:

“Se do i shkruaj Ramës… hajt tu qim ropt”.

Nga përmbajtja e këtij komunikimi krijohet bindja e arsyeshme se veprimet e të hetuarit kanë të bëjnë me ndërhyrje të paautorizuar në sistemet e SPAK, me qëllim dëmtimin e tyre përmes shpërndarjes së dokumenteve te persona të tretë.

Në vijim, në datën 21 shkurt, i hetuari Zambak kërkon informacion edhe për arrestimin e shtetasit Engjëll Agaçi, ndërsa Arnoldi shprehet: “Ja ta shikoj njëherë. Po ç’rëndësi ka kush prokuror e ka. Nga këta që kam unë, s’e ka njeri.”