Vizita, me ftesë të bashkëpunëtorëve të ngushtë të Policisë shqiptare, përfaqësuesve të Operacioneve Ndërkombëtare të Home Office (HOIO), kishte qëllim kryesor forcimin e bashkëpunimit operacional dhe shkëmbimin e inteligjencës operative, në funksion të luftës kundër trafiqeve ndërkombëtare dhe krimit të organizuar.
Qendra e Analizës dhe Operacioneve Detare është një strukturë shumëkombëshe, e cila bashkon 8 shtete europiane dhe luan një rol thelbësor në koordinimin e operacioneve detare dhe ajrore, kundër rrjeteve të krimit të organizuar.
Delegacioni shqiptar, i përfaqësuar nga Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale, Neritan Nallbati, dhe nga Drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, Sajmir Muçaj, u prit nga Drejtori i Bordit të MAOC, Artur Vas. Gjatë vizitës në Qendrën e Analizës dhe Operacioneve Detare, drejtorët u njohën me strukturën drejtuese dhe me funksionimin operativ të Qendrës.
Më tej, gjatë vizitës në Lisbonë, delegacioni i Policisë së Shtetit shqiptar u prit në Ministrinë e Drejtësisë, ku u zhvilluan takime me drejtues të Policisë Gjyqësore të Portugalisë.
Gjatë diskutimeve u dakordësua nisja e bashkëpunimit multilateral ndërmjet Policisë së Shtetit Shqiptar dhe Qendrës MAOC, si dhe forcimi i bashkëpunimit dypalësh midis Policisë së Shtetit dhe Policisë Gjyqësore të Portugalisë.
Axhenda përfshiu prezantime mbi aktivitetet, prioritetet strategjike dhe operacionet aktuale të Qendrës, si dhe diskutime mbi nisma të reja bashkëpunimi dhe mundësi për ndërveprim të drejtpërdrejtë me ekipet operacionale të MAOC, nëpërmjet kanaleve të komunikimit të përfaqësuesve të Ambasadës Britanike, NCA dhe HOIO.
Kjo vizitë shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të sigurisë detare dhe avancimit të përpjekjeve të përbashkëta kundër trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike.




















