Komisioni i Verifikimit, organi përgjegjës për garantimin e integritetit dhe ligjshmërisë së procesit zgjedhor, në zbatim të Rregullores së Asamblesë së Përgjithshme të FSHF, zhvilloi sot mbledhjen e radhës me fokus verifikimin e propozimeve dhe kritereve ligjore për kandidatët për postin e Presidentit, për anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit, si dhe verifikimin e delegatëve të propozuar nga anëtarët e federatës.
Mbledhja u mbajt pas përfundimit të afatit zyrtar të depozitimit të kandidaturave. Gjatë shqyrtimit, Komisioni analizoi çdo propozim të paraqitur nga anëtarët e Asamblesë, duke vlerësuar përmbushjen e kritereve statutore, integritetin personal dhe përputhshmërinë me kërkesat ligjore të procesit zgjedhor.
Në përfundim të procesit të verifikimit, Komisioni konstatoi se 13 kandidatë për anëtar të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së kanë marrë dy propozimet e nevojshme nga anëtarët e Asamblesë dhe plotësojnë kriteret për të qenë zyrtarisht pjesë e garës.
Kandidatët janë:
Abdyl Kuriu
Anila Basha
Arben Dervishaj
Armando Cungu
Blendi Fevziu
Edmond Hasanbelli
Envi Hicka
Erind Resuli
Ervin Canollari
Geri Çipi
Gjergji Petro
Lutfi Nuriu
Pano Xhixho
Për postin e Presidentit të FSHF, është regjistruar kandidatura e Armand Dukës, i propozuar nga 33 anëtarë të federatës.
Gjithashtu, Komisioni zyrtarizoi listën e delegatëve të anëtarëve të FSHF-së për Asamblenë e datës 16.02.2026, në përputhje me numrin e delegatëve të përcaktuar në Vendimin Nr. 1, datë 03.12.2025.
Asambleja e Përgjithshme Zgjedhore e FSHF do të zhvillohet më 16 shkurt 2026, në orën 10:00, në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”. Gjatë Asamblesë do të zgjidhen Presidenti dhe anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FSHF për mandatin e ri katërvjeçar.




















