Legjenda e futbollit botëror, polaku Zbignjiev Boniek, ka dhënë një intervistë për “Rai Radio 1”, duke komentuar edhe kualifikueset e Kupës së Botës. Ai e ka nisur fillimisht duke shprehur bindjen se Italia do të siguronte kalimin në fazën finale të turneut.
“As nuk e imagjinoj që Italia të mos fitojë me Irlandën e Veriut në shtëpi. Problemi është ndeshja teke jashtë fushës kundër Uellsit apo Bosnjës, mund të jetë e rrezikshme. I uroj Gatuzos dhe të gjithë ekipit që të arrijë të shkojë në Botëror, pasi kam nipa që luajnë futboll, janë tifozë me Italinë dhe duan ta shohin në Botëror’, tha fillimisht ai.
Më pas ai u ndal te Polonia, e cila është në minigrupin ku gjendet edhe Shqipëria, me të cilën do të ndeshet në takimin e gjysmëfinales në Varshavë. “Të mos shkosh në Botëror është një dëm sidomos për fëmijët, të cilët duan të ëndërrojnë. Sa i përket Polonisë, kemi dy ndeshje të ekuilibruara dhe të vështira. Në fillim me Shqipërinë në shtëpi e më pas eventualisht me njërën mes Suedisë dhe Ukrainës në transfertë. Në teori, jemi favoritë, si Italia”, tha ai.
Por Boniek nuk është një tifoz i Botërorit me një numër kaq të madh skuadrash pjesëmarrëse. “Sinqerisht nuk jam pro një Botërori me 48 skuadra, janë shumë. Nuk do rritë cilësinë e ndeshjeve, tani është më e vështirë të kualifikohesh në Botëror, se sa të kalosh grupin atje”, tha ikona e futbollit botëror.




















