Kampionati shqiptar i Abissnet Superiore ka filluar, prej ditëve të fundit të dhjetorit, pushimet dhe riparimet, sa të munden për ata që nuk kanë shkuar mirë në pjesën e parë të kampionatit kur janë luajtur tani më dy faza apo 18 ndeshje.
Dhe me një vështrim të thjeshtë nëse sheh tabelën mund të kuptohet qartë se cilët janë ata që nuk e kanë filluar mirë sezonin apo që kanë më tepër nevojë për rishikim.
Mes tyre ajo që bie më tepër në sy është Tirana, e cila ka vendosur një tjetër rekord, por negativ në historinë e saj, pasi asnjëherë më parë nuk e ka filluar kaq keq një kampionat.
Bardheblutë që janë dhe rekordmenët e futbollit shqiptarë, ndodhen në vendin e fundit pas 18 javësh, me 1 fitore dhe vetëm 10 pikë. Ata janë 9 pikë larg daljes nga zona e ftohtë dhe 20 pikë larg vendit të katërt, që me formulën e re, të lejon të luash në Final Four, aty ku ndahet edhe “torta” e titullit kampion dhe Kupave të Europës.
Pavarësisht se për shumë ndjekës të futbollit shqiptarë dhe specialistë ata janë pretendentët e pare, për rënien nga kategoria me paraqitjen e deritanishme, siç ka ndodhur në disa raste, Tirana ka befasuar me disa lëvizje dhe deri më tani, ata kanë marrë statusin e mbretëreshës së merkatos së dimrit.
Bardheblutë kanë larguar rreth 9 lojtarë dhe që nga hapja e merkatos kanë nënshkruar 4 të rinj të një niveli të konsiderueshëm, të paktën në letër: Fredi Alvarez nga Kosta Rika, Johan Kortez nga Kosta Rika, i rikthyeri Emanuel Ernest nga Liberia, dhe Patrik Myslovic nga Sllovakia.
Bardheblutë janë të vetmit deri tani që kanë afruar lojtarë nga 10 skuadrat e Superiores për momentin edhe pse duhet theksuar që merkato dimërore ka ende shumë kohë pasi mbyllet më 2 shkurt.
Grupi i bardhebluve është ndër më të mëdhenjtë aktualisht me 30 futbollistë, ndërkohë që 18 janë të huaj, apo 60% e grupit. Me sa duket Tirana e ka parë të udhës të nxitojë, pasi ka patur më tepër nevojë të ndryshojnë e të përforcohen, por edhe t’i japë kohë stafit teknik dhe lojtarëve të adaptohen.
Janë ende edhe 18 javë kampionat, apo 54 në lojë deri në fund të sezonit dhe kureshtja mbetet e madhe për të parë nëse do të arrijnë bardheblutë që ta kthejnë surprizën e hidhur të fillim kampionatit në një moment gëzimi.










