Nga Dritan Hila/
Më shumë se një luftë, ajo që ndodhi në Venezuelë ngjan me një grusht shteti. Aktualisht Maduro dhe e shoqja janë nën sqetullën amerikane, por regjimi është ende në këmbë dhe ministri i Mbrojtjes ende i lirë. Po ashtu, zëvendës-presidentja nuk është nën arrest amerikan dhe as qeveria.
Më shumë sesa një “regjim change”, kemi të bëjmë me një ndryshim kalë karroce. Dhe nuk mund të jetë ndryshe, pasi kohët kanë ndryshuar. Vetëm sistemi i vendosur nga Çavez erdhi si rezultat i një ndryshimi strukturor të shoqërisë venezueliane, e cila deri në vitin 1999 ishte qeverisur nga pakica e bardhë spanjollo-italiane. Çavez ishte përfaqësuesi i shumicës metise.
Me reformat që bëri, Çavez ofroi shërbim shëndetësor dhe arsim për shtresat e varfra, që ishin kryesisht metisët, dhe një sistem asistencial, duke siguruar kështu edhe mbështetjen e tyre. Kjo u reflektua po ashtu në strukturën e shtetit, me prezencën akoma më të madhe të metisëve, sidomos në radhët e ushtrisë, e cila është edhe shtylla kurizore e regjimit.
Sot Venezuela nuk ka lidhje me atë të shekullit të shkuar dhe për këtë arsye edhe ndërhyrja amerikane nuk ka për të qenë një pushtim klasik si p.sh. ai i Irakut.
Së pari, kjo është e pamundur pasi Venezuela ka një popullsi rreth 30 milionë, por një sipërfaqe prej gati 900 mijë km², pra një herë e gjysmë më shumë se Ukraina ose sa Franca dhe Gjermania të marra së bashku. Praktikisht, një operacion pushtimi është i pamundur.
Së dyti, flamuri i drogës është fals. Venezuela nuk ka zë në kapitull krahasuar me Meksikën, Kolumbinë apo vende të tjera të Amerikës Latine. Arsyeja e vërtetë është nafta. Venezuela është vendi më i pasur në botë me këto rezerva dhe si e tillë nuk mund të lihej në dorë të vendasve. Dhe që të realizohet shfrytëzimi i saj, i duhet bashkëpunimi i vendasve.
Gjithsesi, është ende herët për të bërë një prognozë të së ardhmes së Venezuelës, dhe kjo pak i intereson publikut shqiptar.
Ajo që e bën zbavitëse qasjen shqiptare është ëndrra e PD-së, që ngjason me shkodranin i cili tha një rrenë tek Ura e Bunës dhe e besoi vetë kur shkoi tek Dugajt e Reja. PD ka kohë që përpiqet ta barazojë qeverisjen Rama me atë të Maduros, lidhur kjo me trafikun e drogës. Dhe ka mbërritur në situatën që e beson vetë këtë notë paralele të krijuar në mendjen e saj. Këtu edhe në past drogë, amerikanëve nuk u intereson fare. Nëse kanë një problem, SHBA e ka me ato kanale dhe kartele që futen në tregun amerikan. Kurse trafiku shqiptar, sado që përpiqet të fryhet për arsye politike nga PD ose gazetarë emergjentë në Perëndim, nuk ka lidhje me të vërtetën. Në çdo investigim apo raport serioz, trafikantët shqiptarë janë çirakë të Ndrangetës apo mafies pulieze. Narrativa e PD ngjan më atë të shkodranit, por puna është që Shkodra nuk ishte çmendur të besonte një rrenë, sikurse bota nuk ka mbetur të marrë informatat nga bregu i Lanës.
Kurse ngjashmëria e Shqipërisë me Venezuelën është reale aq sa janë deliret shqiptare që jemi kërthiza e botës.
Në realitet, edhe nëse Shqipëria është një problem, përjashtohet mundësia e një veprimi spektakolar si ai i Venezuelës. Shqipëria është në zemër të Europës; një vend i NATO-s dhe një kandidat për BE. Po ashtu, Rama nuk ka asnjë ngjashmëri me Maduro-n, pasi ka raporte dhe takime me gjithë udhëheqësit demokratë evropianë.
Duke iu rikthyer realpolitikës, Shqipëria nuk ka asnjë pasuri që të ndjellë orekse dhe nuk paraqet asnjë rrezik për stabilitetin. Edhe nëse amerikanët do të donin një ndryshim pushteti në Tiranë, kjo do dukej me izolimin e Ramës. Por kjo është shumë larg. Po ashtu, do t’u duhej pasardhësi. Por edhe në këtë pikë ata nuk shohin ndonjë kandidat real, përjashto ëndrrat e Tikut që ka zënë radhë tek dera e kryeministrisë dhe projekteve të Gridës që e humbi radhen. Kurse kandidatit më të mundshëm, që edhe ia injekton deliret e tij fatkeqëve që i rrinë tek oborri, nuk i kanë më as numrin e telefonit.




















