Gjysmë shekulli më parë: kur lideri iranian Homeini e përdori fjalën “hiç” (të cilën shqipja me gjasë e ka grabitur me mirësjellje nga persishtja). Tani për regjimin teokratik në Teheran po ngushtohet rrethi nga protestat masive. (Shoqëruar me disa fjalë për Naim Frashërin, një Mbretëreshë shqiptare të Iranit, një banket në Persepolis dhe disa kamerierë zviceranë nga viti 1971).
Nga Enver Robelli
1.
Më 2 shkurt 1979, pothuaj 47 vjet më parë, gazeta “Rilindja” njoftonte në faqen e tretë për kthimin triumfal të Ajatollah Ruhollah Homeinit nga Parisi në Teheran. Dy milionë e gjysmë ithtarë dolën ta prisnin prijësin e revolucionit islamik. Homeini aterroi në Aeroportin e Teheranit në orën 09:32 minuta sipas orës lokale. Bashkë me të në avionin Boeing 747 të “Air France” ishin edhe 50 bashkëpunëtorë dhe 150 gazetarë nga mbarë bota. Alkool nuk u shërbye.
2.
Gati gjysmë shekulli më vonë në Iran ka shpërthyer një revoltë e madhe kundër pushtetarëve islamistë. Protestuesit po kërkojnë rrëzimin e Ajatollahut Hamenei dhe fundin e republikës islamiste. Organizata Netblocks me seli në Londër njoftoi se regjimi ka ndërprerë furnizimin me internet. Organizata Iran Human Rights me seli në Norvegji njoftoi se tashmë janë vrarë të paktën 45 njerëz, mes tyre tetë të mitur. Mediat iraniane kanë raportuar deri më tani 21 të vdekur, përfshirë edhe forcat e sigurisë. Protestat kishin nisur në fund të dhjetorit fillimisht si reagim ndaj gjendjes së rëndë ekonomike në vend.
3.
Profesoresha e shkencave islame Katajun Amirpur, autore e një biografie të Homeinit (botuar nga C.H. Beck, München), kështu e përshkruan momentin e kthimit të tij: „Shumë njerëzve në Iran, Homeini u dukej si Mahdiu që e prisnin, imami i fshehur, i cili tani po kthehej nga përhumbja në ekzil. Secili priste përmbushjen e dëshirave dhe ëndrrave të veta. ‘Ti je shpirti im, Homeini’, jehonte në të gjithë qytetin. Vetë i rikthyeri nuk shfaqi emocione të tilla të mëdha. Në pyetjen e reporterit të BBC-së, John Simpson, se çfarë ndiente përballë kthimit të tij pas 15 vitesh në ekzil dhe miliona njerëzve që po e prisnin, ai thuhet të jetë përgjigjur: ‘Hiçie’, hiç, asgjë“.
Duket se gjuha shqipe këtë fjalë e ka grabitur me mirësjellje nga persishtja. Por për këtë s’duhet të ndihemi keq, sepse një shqiptar i madh i ka dhënë shumë më tepër kulturës persiane – lexoni në vijim: Libri i parë i Naim Frashërit ishte një gramatikë e gjuhës persiane e titulluar “Kavaʻid-i Farsiyye ber-Tarz-ı Nevin” [Rregullat e persishtes sipas metodës së re]. U botua në Stamboll më 1871. Kjo është gramatika e parë e persishtes e shkruar sipas stilit perëndimor.
4.
Vjershat e para Naim Frashëri i shkroi në persisht. Në vitin 1885 botoi në Stamboll përmbledhjen poetike “Tehajjulāt” (Ëndërrime). Gramatika persiane e shkruar prej tij është e ndarë në dy pjesë. Sipas një studimi të orientalistëve Abdulla Rexhepi dhe Zeqije Xhafçe nga Universiteti i Prishtinës gramatika i ka 168 faqe: “Pjesa e parë, 65 faqe, përmban informacion mbi rregullat e gjuhës persiane, veçanërisht mbi morfologjinë, ndërsa pjesa e dytë, e cila ka 83 faqe, përbëhet nga katër ushtrime dhe një fjalorth në fund me disa fjalë persiane-osmane”.
5.
Naser Nikoubakht, profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Persiane në Universitetin Tarbiat Modares në Teheran, lidhur me poetin shqiptar shkruan: “Ndoshta Naim Frashëri në moshën 25-vjeçare, ka arritur në përfundimin se gjuha persiane është mjeti më i përshtatshëm për të shprehur imagjinatat e tij poetike. Kështu, meditimet e tij poetike derdhën thesarin e letërsisë persiane. Konceptet dhe poetika e kësaj letërsie si dhe tradita poetike e gjuhës persiane e ndihmuan poetin shqiptar të shprehte përvoja të thella poetike dhe evokime, e kësisoj rezultoi në krijimin e përmbledhjes ‘Tehajjulāt’. Ose mund të themi kështu: Përmbledhja ‘Tehajjulāt’ është një manifestim i sistemit intelektual dhe shpirtëror të Frashërit, i cili shprehet në koordinim me opinionet e poetëve të mëdhenj iranianë” (cituar nga punimi i Abdulla Rexhepit dhe Zeqije Xhafçes).
6.
Sa i përket kthimit të Homeinit nga Franca në Iran, duhet treguar edhe një ngjarje tjetër spektakulare. Në avion me imamin iranian ishte edhe gazetari gjerman Peter Scholl-Latour. Gjatë fluturimit, Scholl-Latour u ftua nga një bashkëpunëtor i Homeinit që të shkojë te lideri i ri iranian, i cili po falte sabahun. Pastaj Homeini i dorëzoi bashkëpunëtorit të tij një dosje dhe ky ia dha gjermanit me porosinë se „nëse na arrestojnë, nëse na vrasin me të mbërritur, atëherë fshiheni mirë këtë dosje, dhe nëse çdo gjë shkon mirë, ashtu siç shpresojmë, atëherë ma ktheni dosjen“. Po ç’kishte në këtë dosje? Peter Scholl-Latour shpjegon: „Tetë muaj më vonë e mora vesh se çfarë kishte brenda. Ajo ishte kushtetuta e Republikës Islamike të Iranit“. Nganjëherë gazetarët janë dëshmitarë të ngjarjeve historike. Me praninë e tyre në avion korrespondentët shërbyen edhe si mburojë njerëzore kundër zëave kërcënues se avioni do të qëllohej dhe rrëzohej. Kthimi i Homeinit në Iran ishte ngjarje globale. Filozofi francez Michel Foucault, i cili më 1978 vizitoi dy herë Teheranin për gazetën italiane “Corriere della Sera” tha: “Kjo është mbase kryengritja e parë e madhe kundër sistemeve mbarëbotërore, forma më moderne dhe më e çmendur e revoltës“. Ky revolucion ishte triumfi i parë i madh i islamit politik. Gratë e bëra futë nga teshat e zeza u shndërruan në simbol të kthimit në Mesjetë.
7.
Më 16 janar 1979 Iranin e kishte braktisur me shpejtësi Shahu Mohamad Reza Pahlavi. Kësisoj mori fund mbretëria 2500-vjeçare persiane. Pahlavi vdiq më 1980 në Kairo. Nga pallati mbretëror i Kajros vinte gruaja e parë e Pahlavit. Ajo quhej Favzia bint Fuad dhe ishte e bija e Mbretit Fuad I, i cili rridhte nga dinastia me origjinë shqiptare e Muhamed Aliut, sundimtarit të Egjiptit. Më 16 mars 1939 Favzia bint Fuad u martua me – atëherë – princin e kurorës iraniane Reza Pahlavin, Mbretin e ardhshëm të Iranit (nga viti 1941). Rrjedhimisht Favzia bint Fuad, një grua me origjinë shqiptare, ishte Mbretëreshë e Iranit. Në vitin 1942 portreti i saj u botua në ballinën e revistës së famshme amerikane “Life”. Kështu Favzia u bë ikonë botërore. Fotografi Cecil Beaton e përshkroi atë si një “venus aziatik” me fytyrë të përsosur në formë të zemrës dhe me sy të kaltër depërtues. Më 1945 çifti u shkurorëzua.
8.
Iranianët e akuzonin Shahun për korrupsion dhe keqpëdorim të resurseve të shtetit. Si shembull të babëzisë përmendet një festë gjigante e organizuar më 1971 për të shënuar 2500-vjetorin e monarkisë. U ftuan dhjetëra burrështetas nga mbarë bota. Erdhën 69 krerë shtetesh ose dërguan zëvendësit e tyre. Banketi dhe ceremonia u mbajtën në Persepolis, kryeqyteti i monarkisë së lashtë persiane. Për të aterruar mysafirët u ndërtua ekstra një pistë. Kamerierët u sollën nga Zvicra. Në vitin 2005 ata, tashmë në moshë të shtyrë, i treguan kolegut tim Martin Beglinger se ç’kishin përjetuar në Persepolis. Teksti është botuar në shtojcën “Das Magazin” të gazetës “Tages Anzeiger”.
Kamerieri Emil Real: “Në mesditë, përpara darkës së madhe, (lideri jugosllav) Titoja hëngri një gjeldeti të tërë. Ndërsa (sundimtari i Etiopisë) Haile Selasie një rosë”.
Kamerieri Oswald Toutsch: “Gjithashtu, Titos, ndërsa po i shërbeja, ia derdha një pikë (verë) mbi uniformën e bardhë. Por ai nuk tha asgjë dhe vetëm e fshiu shpejt mëngën me dorë”.
Kamerieri Emil Real: “Tri ditë përpara darkës së madhe gala, erdhën 18 tonë ushqime. Sipas listës, midis tyre kishte: 2700 kilogramë mish lope, derri dhe qengji. 1280 kilogramë shpendë dhe mish gjahu. Dhe 30 kilogramë havjar. Të tjerë thanë se ishin 150 kilogramë”.
“Dhe një kamion plot me akull”, sipas kamerierit Oswald Toutsch.
Kolegu i tij Felix Real tha: “Çdo gjë erdhi me avion nga Parisi, madje edhe magdanozi dhe qepa e njomë. Vetëm havjari ishte nga Irani”.
Dante Franzetti, kamarier: “Të gjithë supozonin se (presidenti francez) Pompidou nuk erdhi në Persepolis vetëm sepse nuk do të lejohej të ulej pranë perandoreshës Farah Diba. Ky vend i ishte premtuar tashmë Haile Selassiet”.
Selassie, atëbotë 79-vjeç, shoqërohej nga e bija dhe nga qeni i tij, i cili përreth qafës bartte një zinxhir me diamante. Presidenti i SHBA-së, Nixon, përfaqësohej nga zëvendësi i tij Spiro Agnew, familja e të cilit rridhte nga Peloponezi i Greqisë. Mbretëresha e Anglisë, Elizabeth, dërgoi bashkëshortin e saj, Princin Philip, dhe Princeshën Anne.
9.
U shtruan 80 kilometra autostradë.
U ftohën 25 mijë shishe verë.
“Kampingu i miliardave”, shkroi revista zvicerane “Schweizer Illustrierte” për banketin në Persepolis.
“Festa e shekullit”, shkroi revista amerikane “Life”.
“Nëna e të gjitha festave”, shkroi revista gjermane “Stern”.
Presidenti gjerman Gustav Heinemann njëherë pranoi ftesën, por pas kritikave nga qarqet e majta hoqi dorë dhe nuk shkoi në Persepolis.
Që festa të kalojë pa tensione regjimi iranian në mënyrë preventive arrestoi 1500 persona.
Mohamad Reza Pahlavi hodhi poshtë kritikat për harxhime të panevojshme. „Çfarë po kërkohet nga unë – t’u shërbej krerëve të shteteve bukë dhe rrepa?“, pyeti ai me cinizëm. Pushteti iranian njoftoi se banketi kushtoi 16,8 milionë dollarë amerikanë, në botën e jashtme u përmend shifra 300 milionë dollarë, kurse gazetat zvicerane spekuluan se ishin shpenzuar 2 miliardë franga.
10.
Homeini e quajti ndejën “festival të dreqit” dhe “tradhti ndaj islamit dhe popullit iranian”.
Më 1979, siç u tha në hyrje të këtij teksti, Homeini mori pushtetin. Ai vdiq më 1989. Regjimi mbijetoi. Shpesh duke përdorur dhunë. Duke shtypur brutalisht gratë që refuzojnë të bartin shaminë. Duke futur në burg kritikë të regjimit. Shpeshherë kur kanë shpërthyer protesta në Iran është thënë se regjimit teokratik në Teheran po i vjen fundit. Kësaj here laku po ngushtohet. Më 1979 nga Irani iku një mbret (Mohamad Reza Pahlavi), një imam erdhi (Ajatollah Ruhollah Homeini) dhe, sipas gazetës “Rilindja” të datës 4 shkurt 1979, Spanja e përzuri të “vetëquajturin Mbret të Shqipërisë” sepse qenkësh marrë me punë të palejueshme. Teksti i shkurtër është mjaft shpotitës, titulli: “Lekës ia mblodhën çaklat”.
Në Kosovë kishte halle të tjera. Në një shkrim gazetarët Nexhmedin Kelmendi e Rrustem Rugova ankoheshin se trenat kosovarë po qarkullonin pa orar. Njoftohej me krenari se hekurudhat e Kosovës tashmë ishin shkëputur nga Beogradi dhe kishin marrë 5 lokomotiva dizel të tipit “Kenedi”. Planifikohej që më 1980 të hiqen tërësisht prej përdorimit makinat me avull dhe të bliheshin 13 lokomotiva dizel. Por trenat prapë vonoheshin. Si sot. Disa gjëra s’ndryshojnë kurrë. Regjimi i Iranit edhe mund të bie, por trenat e Kosovës do të vazhdojnë me të vjetrën. Mungojnë vetëm makinat me avull.










