Victoria Beckham ka tërhequr së fundmi vëmendjen e mediave ndërkombëtare dhe ndjekësve në rrjetet sociale me një postim në profilin e saj në Instagram, i cili u interpretua gjerësisht si një mesazh i drejtpërdrejtë për djalin e saj të madh, Brooklyn Beckham.
Postimi u publikua në një moment të rëndësishëm për stilisten dhe ish-këngëtaren, e cila u nderua me çmimin prestigjioz francez “Chevalier de L’Ordre des Arts et des Lettres”, akorduar nga Ministrja e Kulturës së Francës, Rachida Dati. Krahas fotografive nga ceremonia zyrtare, Victoria ndau një mesazh falënderimi, por vëmendjen e mori një fjali e shkurtër: “Familja është gjithçka”.
Këto tre fjalë u panë nga shumë ndjekës si një thirrje emocionale dhe një mesazh i koduar në adresë të Brooklyn-it, në një periudhë kur raportet mes tyre përflitet se janë të tensionuara. Sipas mediave, marrëdhënia nënë e bir është ftohur pas disa mosmarrëveshjeve të fundit, të lidhura me akuza të Brooklyn ndaj Victorias për sjellje të papërshtatshme gjatë dasmës së tij.
Burime pranë familjes kanë bërë të ditur se situata ka krijuar distancë mes tyre, ndërsa mesazhi i Victorias është interpretuar si një përpjekje për të rikthyer dialogun dhe unitetin familjar. Reagimet në rrjetet sociale nuk kanë munguar, duke nxitur komente dhe spekulime të shumta mbi gjendjen aktuale të marrëdhënieve brenda një prej familjeve më të njohura të showbiz-it botëror.
Në një realitet ku çdo detaj i jetës së tyre analizohet në publik, një fjali e vetme mjaftoi për të rihapur diskutimet mbi dramën familjare dhe për të rikthyer në qendër të vëmendjes lidhjen mes nënës dhe djalit.




















