Byroja Kombëtare e Hetimit ka shpallur zyrtarisht hapjen e procedurave për përzgjedhjen e Zëvendësdrejtorit të BKH-së, një pozicion kyç në strukturën që heton korrupsionin dhe krimin e organizuar në vend. Njoftimi është bërë në zbatim të ligjit nr. 95/2016 dhe u drejtohet ekskluzivisht hetuesve aktualë të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Sipas shpalljes zyrtare, Zëvendësdrejtori do të ketë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për funksionimin e Shërbimeve të Policisë Gjyqësore në BKH, si dhe do të sigurojë drejtimin e institucionit në mungesë të Drejtorit. Pozicioni përfshin gjithashtu rol aktiv hetimor, menaxhim të burimeve njerëzore, planifikim strategjik, kontroll disiplinor dhe koordinim të punës së oficerëve të Policisë Gjyqësore nga Policia e Shtetit dhe institucione të tjera.

Kandidatët duhet të kenë përvojë minimale trevjeçare në hetimin e veprave penale të korrupsionit, krimit të organizuar apo krimeve të rënda, të mos kenë masa disiplinore në fuqi dhe të kenë vlerësime pozitive për performancën e tyre profesionale. Po ashtu, kërkohet integritet i lartë, aftësi drejtuese dhe njohuri shumë të mira të gjuhës angleze.

Procesi i përzgjedhjes do të kryhet nga SPAK dhe drejtuesit e Byroja Kombëtare e Hetimit, ndërsa vlerësimi do të bazohet në dokumentacionin e dorëzuar, performancën profesionale dhe të dhënat disiplinore të kandidatëve. Afati për dorëzimin e dokumenteve është deri më 22 janar 2026, pranë Drejtorisë së Burimeve Njerëzore në BKH.

Hapja e kësaj procedure shihet si një hap i rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve drejtuese të Byrosë Kombëtare të Hetimit, në një fazë kur institucionet e posaçme të drejtësisë janë në qendër të hetimeve ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar