Ish-futbollisti rus Viktor Onopko, figurë e njohur e futbollit të viteve ’90 dhe fillimit të viteve 2000, ka treguar një histori mjaft kurioze gjatë një interviste në podcastin “El Bigote de Abadía”. Sipas tij, Barcelona pati interes për ta transferuar, por operacioni dështoi për një arsye krejt të pazakontë.
“Pak kohë më parë mësova se Barcelona donte të më transferonte. Por Cruyff ose një nga ndihmësit e tij thanë se isha i shëmtuar dhe për këtë arsye nuk më morën”, u shpreh 56-vjeçari.
Onopko nuk u bë kurrë lojtar i Barcelonës, por u përball disa herë me katalanasit. Madje, më 27 maj 2001 ai arriti të fitonte në “Camp Nou” me fanellën e Real Oviedos, me Radomir Antic në pankinë.
“Atë ditë ‘Rado’ na pagoi shpërblimin për fitoren nga xhepi i tij. E premtoi para ndeshjes dhe e mbajti fjalën”, tha ai.
Rusi rrëfeu edhe historinë e tij të dështuar me Atletico Madrid. Sipas tij, Antic e kërkoi që kur ishte te Oviedo dhe më pas edhe te Atletico, por një klauzolë e hequr nga kontrata pengoi çdo transferim.
“Firmosa me Oviedon në gusht, por erdha në janar. Kisha kërkuar një klauzolë për t’u larguar nëse vinte një ekip që paguante një dollar më shumë. Disa njerëz më mashtruan dhe e hoqën klauzolën. Atletico më kërkoi, por tashmë kisha nënshkruar. Nuk shkova te Atletico për shkak të një mashtrimi nga përfaqësuesit.”
Onopko nuk fshehu admirimin për jetesën në Spanjë.
“Për mua Spanja është si vendi im i dytë. Nuk është si Gjermania, ku jetohet për të punuar. Këtu punohet për të jetuar.”
Me 109 ndeshje me përfaqësuesen e Rusisë, ku mori pjesë në Botërorët 1994 dhe 2002, ai foli edhe për turneun në Kore-Japoni.
“Fizikisht nuk arritëm në formë. Nuk e di pse. Federata dhe stafi bënë gjithçka duhej, madje patëm edhe kuzhinierin tonë dhe familjet me vete, por fizikisht nuk ishim mirë.”
Në fund, ai shpjegoi edhe zgjedhjen për t’u bashkuar me Rayo Vallecano pas largimit nga Oviedo.
“Shkova për shkak të Fernando Vazquez. E njihja nga Oviedo dhe më pëlqente si punonte. Zbritëm nga kategoria, por kam kujtime të mira. Edhe atje isha i lumtur. Presidentja Rivero ishte si nënë për ne, madje një ditë na ftoi të gjithëve për drekë në shtëpinë e saj”, tha ai.




















