Aktorja e njohur kanadeze Catherine O’Hara, e cila fitoi zemrat e publikut me rolet e saj në serialin “Schitt’s Creek” dhe në filmat klasikë të Krishtlindjeve si “Home Alone” dhe “Home Alone 2”, ka ndërruar jetë në moshën 71-vjeçare.

Lajmi u raportua fillimisht nga TMZ, që citoi burime të afërta që konfirmuan vdekjen e saj, ndërsa menaxheri i O’Hara-s e pohoi gjithashtu lajmin për Variety, duke thënë se aktorja u nda nga jeta pas një “sëmundjeje të shkurtër”.

Shkaku i saktë i vdekjes megjithatë mbetet i paqartë.

O’Hara ishte fituese e dy çmimeve Emmy dhe një nga figurat më të spikatura që dolën nga trupa komike e “Second City”, së bashku me aktorin e ndjerë John Candy.

Karriera e saj mori hov në fund të viteve ’80 dhe fillim të viteve ’90, me role të paharrueshme si Delia Deetz në filmin “Beetlejuice” (1988) dhe si nëna e Kevin McCallister në “Home Alone”.

Përveç këtyre, ajo spikati edhe në filmin e Tim Burton “The Nightmare Before Christmas”, si dhe në “Dick Tracy” me Warren Beatty.

Një rikthim i madh në karrierën e saj erdhi me rolin e Moira Rose në “Schitt’s Creek”, që i solli një çmim Emmy për Aktoren Kryesore në një serial komedi.

Në vitet e fundit, O’Hara u angazhua edhe në dublim zëri, duke huazuar zërin për filmin e animuar të Disney Pixar “Elemental” dhe për “The Addams Family” (2019). Së fundmi, ajo riktheu rolin e saj si Delia në vazhdimin “Beetlejuice, Beetlejuice” me Jenna Ortega.

Vdekja e Catherine O’Hara lë një boshllëk të madh në botën e kinemasë dhe televizionit, ku ajo mbetet e paharrueshme për humorin, talentin dhe karizmën e saj.