Nga Ilir Beqaj

Të nderuar anëtarë të Gjykatës Kushtetuese!

“”
Po ju drejtohem publikisht pas njoftimit të publikuar në faqen web të Gjykatës më 28 janar 2026, ku bëhet e ditur se është rrëzuar kërkesa ime për të kundërshtuar vendimin e GJKKO të datës 6 korrik 2024 mbi masën e sigurimit “arrest në burg”.

Kjo padyshim më bën subjektiv dhe ju besoj edhe për këtë arsye mund ta neglizhoni këtë komunikim. E keni gati klishe­në që vendimet e gjykatës nuk komentohen.

Por, meqë shqiptarët fitojnë çështje në GJEDNJ (Strasburg), kjo ndodh sepse ja që edhe ju jepkeni vendime të padrejta.

Atëherë, në një shoqëri demokratike, si e jona, çdokush ka të drejtë të shprehet lirshëm kundër padrejtësive. Mjafton që ta bëjë në mënyrë të paqtë dhe etike.

Ende nuk kam dijeni të rezultatit të votimit. Por rrëzimi i kërkesës tregon se kundër kërkesës sime kanë votuar të paktën 4 gjyqtarë, por ndoshta kanë votuar en bloc të tetë gjyqtarët.

Ky komunikim publik është vetëm për ata gjyqtarë që kanë votuar rrëzimin e kërkesës.

Kam bërë kërkesë në Gjykatën tuaj të nderuar më 1 korrik 2025. Sipas njoftimit të kahershëm, seanca do të zhvillohej në datë 23 dhjetor 2025, ndërsa njoftimi i rrëzimit të kërkesës u bë publik më 28 janar 2026. Kaq mjafton për të kuptuar se sa seriozë jeni në trajtimin e çështjeve që gjykoni. 7 muaj për të bërë vlerësimin e një mase sigurie. A ka kuptim që të jepni një vendim për një masë sigurie 19 muaj nga dhënia e vendimit të parë? Një shqyrtim i tillë i stërzgjatur e humbet funksionin e tij si garanci efektive. Çfarë lloj drejtësie qenka kjo? Kujt i duhet kjo lloj drejtësie kaq e vonuar?

Për ju kërkesat për rrëzim të vendimeve të masave të sigurimit mund të jenë “bezdisëse”, mund të jenë “të dorës së dytë” krahasuar me çështje të tjera shumë më themelore për shtetin e së drejtës që gjykoni, por kjo nuk duhet t’ju çojë në vlerësime krahasimisht më simpliste në raste si ky i imi.

Më 6 korrik 2024 GJKKO ka arsyetuar se, meqë veprat penale që dyshohet se kam kryer si funksionar i lartë parashikojnë dënim të lartë, ekziston rreziku që të largohem nga Shqipëria. Edhe Apeli i GJKKO më 7 gusht 2024 ka konfirmuar këtë rrezik.

Por vetë tekstet e arsyetimeve të vendimeve të shkallës së parë dhe Apelit të GJKKO, nëse lexohen, janë kontradiktore me vendimet e po këtyre gjykatave ndaj meje.

Nga leximi i vendimeve që unë kam kërkuar të rrëzoni rezulton:

Funksionar i lartë

Gjykatat (6 korrik dhe 7 gusht) kanë arsyetuar që në krye të herës se drejtori i përgjithshëm i SASPAC nuk është funksionar i lartë as sipas Kushtetutës (neni 135, pika 2) dhe as sipas KPrP (75/a). Anipse SPAK ka hyrë në vitin e shtatë të funksionimit, ende nuk di se kë ka subjekt të vetin.

Korrupsioni pasiv

Gjykatat (6 korrik dhe 7 gusht 2024) kanë arsyetuar që në krye të herës se dyshimet për korrupsion pasiv bazohen vetëm në hamendje. Kanë ftuar organin e akuzës për hetime të mëtejshme edhe për të përcaktuar vlerën e dyshuar të korrupsionit, sepse kjo lidhet edhe me kompetencën lëndore të SPAK. Në mungesë të një vlere korrupsioni, sado minimale qoftë, akuza për korrupsion nuk ka ekzistuar që në krye të herës.

Mashtrim me pasoja të rënda