Juristi Kreshnik Spahiu është shprehur në një lidhje live për Report TV se nuk është çudi që kryedemokrati Sali Berisha dhe lidershipi i PD-së, në ditët në vijim të fillojnë të hedhin parrulla kundër SHBA-ve, Presidentit Donald Trump dhe vajzës së tij Ivanka.
Komentet Spahiu i bëri teksa komentoi protestën e sotme të Partisë Demokratike, ku tha se ftesa e Trump për Ramën për Bordin e Paqes dhe takimi i Ivanka Trump me kryeministrin shqiptar, rrëzoi propagandën që Berisha po shpaloste te mbështetësit e tij, se SHBA-të do rrëzonin nga pushteti qeverinë Rama.
Spahiu tha gjithashtu se Berisha dhe kupola drejtuese e PD-së janë të gatshëm që t’i hapin luftë gjithë planetit, vetëm që sipas tij, të krijojnë një ide komuniste se vetëm ata kanë të drejtë në kauzën e tyre.
Më tej Spahiu shtoi se protestat e organizuara nga PD janë pa një motiv të mirëfilltë dhe sipas tij, ato organizohen nga Berisha vetëm për të treguar se ka më shumë njerëz se partitë e tjera opozitare.
“Qëllimi i protestave të Berishës është që të sigurojë numra më shumë në raport me partitë e tjera. Pra qëllimi i tij është t’i tregojë njerëzve që ka më shumë njerëz se partitë e tjera. Në thelbin e vetë, një protestë që planifikohet edhe me orë, që fillon në orën 6 dhe mbaron në orën 7, sigurisht nuk mund të ketë asnjë objektiv. Duke u ndodhur pak të sfiduar përballë Adriatik Lapaj dhe partisë së re Shqipëria Bëhet, e cila ka treguar një lloj rezistence, Berisha dhe lidershipi i PD-së janë në një sfidë publike me elektoratin e vet.
Prandaj ka vetëm datë dhe jo objektiv të protestës. Duke mos pasur objektiv nuk ndërtohet kauza. Kauza është shumë e rëndësishme. Kanë 13 vite që thonë vetëm ‘Rama ik’. Kur një kauzë të ka dështuar në 13 vite, ti duhet të motivosh njerëzit në një mënyrë ndryshe. Pra duke mos ndërtuar një kauzë që i intereson Saliut dhe lidershipit politik, por një kauzë popullore. Unë mbaj mend në 10 vitet e fundit nuk kanë ndërtuar dot një kauzë për studentët dhe rininë. Njerëzit shkojnë aty dhe dëgjojnë fjalimin e Berishës. Edhe në skenar këta janë të konsumuar. Ka një lloj venitje në ide. Kjo parti nuk ka më inovacion, ide, skenar, organizim.
PD dhe Sali Berisha ndërtuan prej një viti një propagandë për të bindur opinionin publik dhe elektoratin e tyre do të binte se qeveria Rama do të binte nga një embargo që do të vendoste SHBA ndaj tij. U investua edhe financiarisht, u hodhën miliona euro për të rehabilituar politikisht dhe diplomatikisht Sali Berishën, si dhe për të izoluar Edi Ramën. Për një vit rresht elektorati u përgatit që amerikanët do të ndikonin te SPAK, do të hapnin procese penale për Edi Ramën dhe për një vit rresht u ndoq kjo strategji për të karikuar elektoratin.
Por në fund ndodhi ajo që dukej qartë dhe 3 ditët e fundit kanë qenë fatale, kanë shfryrë gjithë këtë kështjellë rëre për demokratët, pasi marrëveshja e Bordit të Paqes, pra letra e Trump për Ramën dhe ardhja e vajzës së Ramës për të investuar në Shqipëri, i detyroi në njëfarë mënyrë që të pajtohen me një fakt që marrëdhëniet e qeverisë aktuale me SHBA-të janë ato që kanë qenë.
Mos t’ju duket çudi që në ditët në vijim PD dhe Berisha të sulmojnë sërish Soros, të ketë zëra kundër SHBA-së. Dhe mos t’ju duket çudi që një ditë në protesta të brohorasin ‘poshtë Ivanka’ ose ‘poshtë Trump’. Janë të gatshëm që t’i hapin luftë politike gjithë planetit, vetëm për të krijuar atë idenë komuniste, që vetëm këta janë të drejtë në kauzën e tyre, sepse në njëfarë mënyre u është shfryrë propaganda e tyre shumëvjeçare”, tha mes të tjerash Spahiu.




















