Protestën e PD më 24 dhjetor para Kryeministrisë, gjatë së cilës u hodhën molotovë dhe militantët sulmuan me gurë policinë, juristi Kreshnik Spahiu, e cilësoi si një protestë që kënaqi të gjitha palët e përfshira.
Në një lidhje skype për emisionin ‘5 pyetjet nga Babaramo’ në Report Tv, ai tha se protesta nuk arriti që të bashkonte partitë e tjera opozitare, duke mbetur një aktivitet i brendshëm i PD-së.
‘Protesta ia arriti qëllimin edhe atyre që morën pjesë edhe atyre që nuk morën pjesë. Pastaj sloganët që do të rrëzojmë Ramën janë për militantët. Edhe ata që ishin kundër u kënaqën sepse në fund të fundit mbeti brenda rrethit të PD dhe s’u bë dot një protestë opozitare. Ajo ishte vetëm protestë e PD dhe nuk arriti dot që të bashkojë partitë e tjera opozitare’, tha ai.
Sipas Spahiut, pjesë e opinionit publik dhe mediat ndërkombëtare e perceptuan PD-në si një parti të dhunshme, gjë e cila shërbeu në favor të mazhorancës.
‘Nga ana tjetër edhe socialistët janë të kënaqur sepse duan që PD ta nxjerrin si një parti të dhunshme. Edhe reagimi i policisë ishte i nxituar sepse dontë që të agravohej situata që të kishte një përplasje fizike. Por unë them se kufinjt e dhunës nuk i kaloi asnjëra palë. Ishte një skenar që të gjitha palët u kënaqën, u kënaqën se kapën edhe disa tituj në mediat e huaja’, tha ai.




















