Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka falur ish-guvernatoren e Porto Rikos, Wanda Vázquez Garced, e cila ishte akuzuar në një çështje federale për korrupsion, bëri të ditur Departamenti i Drejtësisë.

Zyra e Prokurorit të Faljeve në Departamentin e Drejtësisë përditësoi listën zyrtare të faljeve presidenciale për të përfshirë një falje për Vázquez, e cila mban datën e së enjtes. Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë konfirmoi të premten se presidenti Trump kishte vendosur ta falte atë.

“I gjithë ky rast është një shembull i ndjekjes penale politike”, tha zyrtari i Shtëpisë së Bardhë, duke iu referuar akuzave ndaj Vázquez, e cila u arrestua në gusht të vitit 2022 nën dyshimin për marrje ryshfeti në lidhje me financimin e fushatës së saj për guvernatore në vitin 2020.

Sipas raportimeve, Trump fali gjithashtu dy të pandehur të tjerë në të njëjtin rast, Julio Martín Herrera Velutini dhe Mark Rossini.

Që nga rikthimi në detyrë vitin e kaluar, Trump ka dhënë një numër të madh faljesh presidenciale, shumë prej tyre për persona të dënuar për krime dhe për aleatë politikë, duke nxitur debate të gjera publike dhe politike.