Pas 3 vitesh, rishfaqet ideja Marco Verratti. Mesfushori, që mungon në ndeshjet ndërkombëtare me Italinë që nga 2023 mund të grumbullohet me Të Kaltrit në kuadër të ndeshjeve të playoff-it të Botërorit që do të luhen në muajin mars.
Një mundësi e papritur e rihapur nga trajneri Gattuso që në ditët e kaluara fluturoi në Katar, ku Verratti aktualisht aktivizohet me Al-Duhail, pas një eksperience me Al-Arabi, gjithnjë në Doha. Sipas të përditshmes italiane La Gazzetta Dello Sport, trajneri i 4 herë kampionëve të botës është në kërkim të një organizatorit dhe 33 vjeçari, që nuk e vesh fanelën e kombëtares italiane prej 3 vitesh, mund të përfshihet në listën e tij
Ish mesfushori i Paris Saint Germaini, që duket se është në gjendje fizike optimale, e ka lënë të hapur plotësisht mundësinë e një telefonate duke u shfaqur menjëherë i disponueshëm dhe me dëshirë për t’u kthyer te kombëtarja italiane. Zgjedhja përfundimtare do të vijë në javët e ardhshme, pasi Gattuso të ketë vlerësuar të gjithë profilet e lojtarëve në dispozicion. Ndërkaq, trajneri i Italisë, vazhdon të udhëtojë sa në vend ashtu edhe jashtë saj për të takuar futbollistët italianë. Përpara Katarit, Gattuso ishte në Arabinë Saudite për të ndjekur nga afër, Mateo Retegui, ndërsa në orët në vazhdim do të shkojë në Angli për të folur me lojtarët italianë që luajnë atje, mes të cilëve me Donnarumma, Calafiori, Tonali e Chiesa.
Një itinerar ky i Gattusos për të qëndruar në kontakt me skuadrën, që vjen si pasojë e pamundësisë që ai të zhvillojë një stazh të vërtetë grumbullimi në Coverciano për shkak të kalendarit shumë të ngjeshur të klubeve.




















