Kryeministri kanadez Mark Carney minimizoi kërcënimet e fundit të presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e tarifave 100% ndaj importeve kanadeze, duke i cilësuar ato si pjesë të një strategjie negociuese në kuadër të marrëdhënieve tregtare.

“Së shpejti do të fillojmë negociatat, ose një rishikim të marrëveshjes sonë tregtare me Shtetet e Bashkuara dhe Meksikën (USMCA). Presidenti është një negociator me përvojë dhe mendoj se disa nga këto komente dhe qëndrime duhet të shihen në një kontekst më të gjerë”, deklaroi Carney.

Donald Trump paralajmëroi të shtunën se SHBA do të vendosë “tarifa 100%” mbi importet nga Kanadaja, nëse Otava arrin një marrëveshje tregtare me Kinën. Kërcënimi erdhi pas njoftimit të Carney për një marrëveshje paraprake të arritur në Pekin në mesin e janarit.

Pavarësisht toneve të ashpra nga Uashingtoni, qeveria kanadeze duket e vendosur ta trajtojë situatën me qetësi, duke e konsideruar presionin tarifor si mjet negociues dhe jo si një masë të menjëhershme ndëshkuese.