Nga Hermes Kafexhiu
Jam i irrituar!
Po, shumë!
Është një tallje, por është edhe një ndjenjë e plogësht që të detyron të shkruash për të vënë në dukje opozitën qesharake të vendit tim. Është krejtësisht qesharake. Një pamje e mbushur me një dekor artificial që ngrihet mbi sakrificat e atyre që besojnë se do të vijnë një ditë në pushtet apo do të bëjnë ndryshimin, ndërkohë që aty sheh një parti me hipotekë.
Te Kryeministria babai, te Kuvendi djali, ky i fundit pa asnjë pozicion publik në jetën e tij.
A mund të biem në pre të kësaj regjie qesharake, që stisi gjoja një skenë revolte, por që në thelb ka disa gënjeshtra:
Mbrojtjen nga drejtësia dhe vendosjen në një bunker të Berishës, i cili fshihet pas demokratëve të dëshpëruar.
Edhe tjetra, pa dyshim, fakti që mori këtë valë si gjoja pak më shumë revoltë, janë takimet e Salianjit që Berishës i kanë kallur idenë e firimit të radhëve të tij.
Ah, po, ka dhe një të tretë!
E treta dhe më kryesorja është se Berisha duhej të fshinte retorikën e ngritur të Amerikës që do të vinte me helikopter kundër Ramës, por që në fakt doli se në bulevard ishin vetëm ca fishekzjarre kineze.
Ne jemi përballë një opozite me regji, e cila është ngulur thumb mbi shoqërinë dhe nuk po lë të rritet asnjë ndjenjë opozitarizmi. Një opozitë që del varavingo në qytet, krejt e verbër, e përçarë, e lodhur, e drobitur, e manipuluar vetëm e vetëm nga nevoja e madhe e një njeriu për t’u fshehur pas një tymnaje numrash dhe për të mbërthyer fort monopolin e opozitës.
Berisha sot nuk tha asnjë fjalë për amerikanët që priste, u fsheh ashtu siç fshihen përherë ata që hedhin gënjeshtra, pas flamurit shqiptar që mban mbi supe prej 30 vitesh rrenat e thata të tij.
Jam i irrituar.
Po, shumë madje.
Sepse do të ishte më e udhës që pas kësaj regjie qesharake të kishte një fund të një komedie të zezë. Amerikanët të vinin me helikopterë dhe ta merrnin Berishën; ndoshta kështu, kështu do të ishte më ndryshe.




















