Gjykata Kushtetuese ka vendosur të kalojë për shqyrtim në seancë plenare publike kërkesën e depozituar nga një e pesta e deputetëve të Partisë Demokratike, lidhur me çështjen McGonigal. Njoftimi është bërë publik këtë të enjte.

Kërkesa e opozitës vjen pas refuzimit të Kuvendit për ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar për verifikimin e ligjshmërisë së veprimeve të zyrtarëve shqiptarë në raport me ish-agjentin special të FBI-së, Charles McGonigal.

Po ashtu, 1/5 e deputetëve të PD-së i kanë kërkuar Gjykatës Kushtetuese të shqyrtojë edhe mosngritjen e një komisioni të dytë hetimor, që kishte për objekt kontrollin e ligjshmërisë së zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025 dhe verifikimin e përdorimit të burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale.

Sipas kërkesës, Gjykata Kushtetuese pritet të zgjidhë mosmarrëveshjen e kompetencës ndërmjet jo më pak se një të katërtës së deputetëve dhe Kuvendit të Shqipërisë, duke përcaktuar nëse Kuvendi ka detyrimin kushtetues për ngritjen e dy komisioneve hetimore.

Njëkohësisht, deputetët kërkojnë shpalljen si antikushtetuese të vendimit nr.77/2025 të Kuvendit, për mosmiratimin e komisionit hetimor për çështjen McGonigal, si edhe të vendimit nr.78/2025, që rrëzoi ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet e 11 majit 2025.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese pritet të ketë ndikim të rëndësishëm në raportet mes Kuvendit dhe opozitës, si dhe në praktikën parlamentare për ngritjen e komisioneve hetimore.