Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi se qeveria ka në dispozicion mbi 50 milionë euro për përballimin e situatave të emergjencave civile dhe dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore, gjatë mbledhjes së Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile.

Sipas ministrit, rreth 30 milionë euro janë parashikuar në programin e Emergjencave Civile, nga të cilat 15 milionë euro janë alokuar për shpenzime kapitale dhe financimin e projekteve që lidhen me parandalimin e fatkeqësive natyrore. Po ashtu, është planifikuar një fond i kushtëzuar prej rreth 10 milionë eurosh për emergjencat civile, i cili do të menaxhohet nga Ministria e Mbrojtjes dhe do të shpërndahet për njësitë e vetëqeverisjes vendore, bazuar në metodologji dhe në hartën e riskut.

Malaj bëri të ditur se fondi rezervë i Këshillit të Ministrave, në vlerën rreth 25 milionë euro, do të vihet në dispozicion në varësi të vlerësimit të dëmeve nga strukturat përgjegjëse. Gjithashtu, rreth 5 milionë euro janë parashikuar për fondin e digave dhe rezervuarëve, për financimin e projekteve që lidhen me sigurinë e tyre.

Ministri theksoi se këto fonde synojnë garantimin e një reagimi të shpejtë dhe efektiv ndaj situatës së krijuar dhe mbështetjen e institucioneve vendore në përballimin e pasojave të emergjencave civile.