Ministri i Financave, Petrit Malaj deklaroi sot se në muajin shtator do të nisë projekti IPARD 3 ku janë edhe 118 milionë euro të tjera për sektorin e bujqësisë. Ai renditi skemën e granteve ku për 2026 janë parashikuar 20 milionë euro, skemën e subvencioneve direkte për fermerët që është 31 milionë euro e buxhetuar për 2026 si dhe garancinë sovrane dhe rimbursimin e TVSH-së.

“Shifrat tregojnë realitetin dhe seriozitetin që ka kjo qeveri në lidhje me sektorin e bujqësisë. Në vitin 2013 kur morëm drejtimin e këtij vendi kemi marrë një bujqësi me buxhet 34 milionë euro, e kemi mbyllur 2025 me një buxhet 162 milionë euro, pesëfishi i asaj që morëm. Kemi marrë një bujqësi, e cila i kishte eksportet rreth 120 milionë euro, e cila sot në terma eksporti është mbi 500 milionë euro.

Kemi të hapur garancinë sovrane që iu mundëson të gjithë fermerëve kredi të buta me normë interesi 2% dhe me garanci nga shteti për rreth 70% të vlerës së kredisë. Janë 30 milionë euro për vitin 2026. Ajo që është më e rëndësishme është kompensimi i TVSH për të gjithë fermerët, për çdo produkt që keni filluar të shisni nga data 1 janar 2026 e në vazhdim. Duhet të mblidhni faturat për produktet që çoni tek grumbulluesit dy herë në vit më 30 qershor dhe në 1 janar do të çoni faturat pranë autoriteteve tatimore dhe do të kompensoheni me 10% të vlerës së faturave. Nga ana tjetër jemi besimplotë dhe shpresëplotë që në shtator do të hapet edhe IPARD3 dhe janë 118 milionë euro të tjera për sektorin e bujqësisë”, tha Malaj.