Tiranë, 27 Janar- Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot Projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Italisë, për bashkëpunimin strategjik”, një marrëveshje që forcon partneritetin mes dy vendeve në fusha si kujdesi shëndetësor, energjia, mjedisi, industria e sigurisë dhe mbrojtjes, menaxhimi i migracionit, arsimi, inovacioni, diaspora, transformimi ekonomik dhe rritja inteligjente. Në fjalën e saj në Kuvend, deputetja e Partisë Socialiste, Ogerta Manastirliu theksoi rëndësinë e kësaj marrëveshjeje, duke e cilësuar atë jo thjesht si një akt formal bashkëpunimi, por një instrument politik zhvillimi dhe një hap konkret në rrugën evropiane të vendit.
“Italia është një nga partnerët tanë më të rëndësishëm strategjikë: një vend anëtar i Bashkimit Evropian që ka qenë pranë Shqipërisë në momente kyçe. Të mos harrojmë që vetëm pak muaj më parë hyri në fuqi edhe marrëveshja e shumëpritur për njohjen e kontributeve për pensionet për shqiptarët që jetojnë atje. Kjo marrëveshje që ratifikojmë sot kontribuon drejtpërdrejt në forcimin e kapaciteteve tona institucionale, shoqërore dhe njerëzore. Marrëveshja përfshin fusha të rëndësishme si energjia, mjedisi, shëndetësia, siguria, migracioni, inovacioni dhe ekonomia. Si një shtyllë themelore, kjo marrëveshje trajton edhe bashkëpunimin në fushat e arsimit dhe kërkimit shkencor”, tha Manastirliu.
Në fushën e arsimit të lartë, Manastirliu theksoi se kjo marrëveshje forcon bashkëpunimin përmes programeve të përbashkëta, shkëmbimeve akademike mes universiteteve.
“Në kuadër të programit të ndërkombëtarizimit, janë hapur ose riorganizuar 50 programe të përbashkëta studimi, nga niveli bachelor deri në nivelin e tretë të doktoraturave. Bashkëpunime ndërmjet institucioneve tona të arsimit të lartë janë zhvilluar me Universitetin e Tuscias, Universitetin e Firences, Universitetin e Chietit, Universitetin e Bolonjës, Universitetin ‘La Sapienza’, Universitetin e Gjenovës, Universitetin e Salentos, Universitetin e Barit dhe Universitetin e Maceratës. Po ashtu, numërohen edhe 23 programe dygjuhëshe në universitete publike dhe private në vend. Gjithashtu, dua të përmend nënshkrimin e marrëveshjes mes Universitetit të Mjekësisë Tiranë dhe QSUT-së me Universitetin e qendrës së ekselencës spitalore dhe universitare San Raffaello, një bashkëpunim që pritet të zgjerohet edhe falë marrëveshjes që ratifikojmë sot”, tha deputetja Ogerta Manastirliu duke shtuar se një element kyç i marrëveshjes është edhe njohja e ndërsjellë e kualifikimeve akademike, proces që ka nisur tashmë nga ministritë përgjegjëse të dy vendeve dhe po zhvillohet në bashkëpunim me rrjetin ENIC-NARIC, për të lehtësuar lëvizshmërinë akademike dhe profesionale.
Manstirliu u ndal në fjalën e saj dhe te një tjetër shtyllë thelbësore e kësaj marrëveshjeje:
“Kërkimi shkencor dhe inovacioni është një tjetër shtyllë e rëndësishme. Shqipëria ka nevojë që arsimi i lartë të lidhet drejtpërdrejt me zhvillimin ekonomik dhe social të vendit. Marrëveshja parashikon programe të përbashkëta kërkimore, forcimin e infrastrukturës laboratorike dhe bashkëpunimin mes universiteteve, qendrave kërkimore dhe industrisë”, tha Manastirliu, duke shtuar se marrëveshja njeh gjithashtu rolin strategjik të diasporës shqiptare në Itali, veçanërisht të diasporës akademike, si një urë lidhëse mes dy vendeve që mbështet ruajtjen dhe promovimin e gjuhës shqipe në diasporë, nxitjen e programeve arsimore dhe kulturore për brezat e rinj, si dhe përfshirjen aktive të diasporës akademike në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në vendin tonë.
Në përfundim, deputetja Ogerta Manastirliu theksoi se kjo marrëveshje forcon lidhjet historike mes dy vendeve, si një nga aleatët dhe mbështetësit më të fortë të Shqipërisë në procesin e integrimit europian.




















