Si anëtar i qeverisë shqiptare gjatë pushtimit gjerman, Eqerem Bej Vlora ishte pjesë e një administrate që refuzoi zbatimin e politikave racore naziste dhe nuk dorëzoi hebrenjtë tek autoritetet gjermane. Një ndër argumentet që ai i ka paraqitur të plotfuqishmit gjerman për Shqipërinë ishte se Shqipëria është një shtet që mbështetet më shumë në të drejtën zakonore sesa në kushtetutë dhe se për ta “besa” për mikun në shtëpi është më e fortë se kushtetuta e vendit.

Edhe për atë, në atë kohë, kishte shumë pikëpyetje se si një personalitet aq i kulturuar i Shqipërisë ishte edhe një ministër pro Hitlerit dhe një mbrojtës i hebrenjve. Aq e vërtetë ishte kjo, sa Eqerem Bej Vlora, i cili kishte roje një ushtar gjerman te dera e shtëpisë së tij në fillim të rrugës së Durrësit, ftonte çdo ditë në shtëpi mësuesen zviceriane të fëmijëve, që ishte një hebreje nga Zvicra, të cilën ushtarët e njihnin dhe detyroheshin ta përshëndesnin sa herë hynte në shtëpi për t’u dhënë mësim fëmijëve.

Ky kufi i hollë mes palëve që nuk pajtohen me njëra-tjetrën është një ecje në majë të shpatës e politikës shqiptare në të gjitha kohërat dhe ndoshta i vetmi identitet që ka politika shqiptare në botë. Ne jemi vendi që kemi katër fe tradicionale që bashkëjetojnë me njëra-tjetrën, dy të besimit islam dhe dy kristiane; kemi dhjetëra rryma të reja fetare që hyjnë në Shqipëri pa asnjë shqetësim; kemi familje të përziera nga pikëpamja fetare dhe po ashtu një ateizëm mbizotërues, që është “fe” më vete për shoqërinë shqiptare.

Është kjo arsyeja që e bën Edi Ramën dhe fjalimin e tij në Izrael simpatik si shqiptar dhe të urryer nga fanatikët politikë dhe fetarë.

Arsyeja është se Edi Rama nuk është një udhëheqës ideologjik.

Është kjo arsyeja që edhe ata socialistë që e mbajnë veten vërtet të majtë në Shqipëri kafshojnë buzën kur e quajnë kryetar, por u duhet se me të janë në pushtet. Ai është një mik i afërt i familjes Soros, por kurrë nuk i bë ideolog i Sorosit; një mik i afërt personal i Presidentit Erdogan, që në fakt adhuron fuqinë dhe modelin e pushtetit të tij, por kurrë një pro-osman; ai është një nga miqtë më të mëdhenj në botën evropiane të udhëheqësve arabë në Emirate dhe Arabi Saudite, por pa u penguar të jetë një mik i Izraelit; një aleat shumë i mirë i “diktatorit të Budapestit”, siç bën humor me Orbanin, pa u penguar të kërkojë çdo ditë anëtarësimin në BE që po prish Orbani.

Duke mos qenë një udhëheqës ideologjik, por pragmatist, mos prisni prej tij asgjë tjetër përveç kësaj që bën: të qenit interesant si shqiptar.

Përpjekja për ta ballafaquar Edi Ramën me politikën e miqve të tij në botë është e dështuar. Ai nuk është përgjegjës as për atë që bën Izraeli në Gaza, as për atë që bën Arabia në Jemen, as për sherret brenda botës arabe dhe myslimane dhe as për paragjykimet evropiane për ta.

I mirëkuptoj të majtët radikalë që kanë kauzë masakrat dhe gjëmat që kanë ndodhur në Gaza. I kuptoj edhe idhtarët e islamit politik, që minimizojnë krimet e Hamasit, relativizojnë zhdukjen e pengjeve dhe mbajnë në dorë foto të fëmijëve të vrarë në Gaza, por Shqipëria është e pafuqishme të vendosë për fatet e paqes në Lindjen e Mesme.

Në kohën që jetojmë dhe rendin e ri botëror që po hyjmë, Shqipëria duhet të ruajë kontributet e saj historike dhe t’i kthejë ato në fuqi politike për sigurinë e mëtejshme të Shqipërisë.

Nëse raportet e Shqipërisë me Izraelin dhe historinë e tyre me hebrenjtë do t’i vendosim në atë që ndodh sot në Gaza, do të thotë të rishkruajmë historinë tonë për të qenë politikisht korrekt me zhvillimet e sotme. Kjo do të ishte, në fakt, vetëposhtërim i Shqipërisë dhe jo konfirmimi i një historie të madhe që ne kemi me hebrenjtë kur ata u gjendën përballë shfarosjes botërore të frymëzuar nga nazizmi.

Për të mbijetuar në këtë botë të re, ne kemi vetëm një fuqi në dorë: fuqinë për të mos pasur armiq të mëdhenj. Ata mund të na ndihmojnë të mundim edhe armiqtë e vegjël, të cilët as ata nuk i mundin dot vetëm. Humbja e këtyre miqësive të mëdha historike duke u sjellë si OJQ politikisht korrekte dhe duke iu përshtatur tendencave ditore të së majtës në botë do të ishte vetëposhtërimi ynë i madh./TEMA